Një aktivitet paqësor dhe simbolik në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit do të mbahet të dielën në Lubjanë.
Aktiviteti është paralajmëruar si një protestë në heshtje, përmes së cilës organizatorët synojnë të shprehin solidaritet me katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me proces gjyqësor në Hagë.
Sipas njoftimit të organizatorëve, tubimi do të zhvillohet në mënyrë paqësore, me respekt dhe dinjitet, ndërsa mesazhi kryesor do të jetë kërkesa për drejtësi dhe një proces të drejtë gjyqësor.
Në fund të aktivitetit, pjesëmarrësit do të ndezin dritat në duart e tyre, si simbol i shpresës, së vërtetës dhe lirisë.
“Një dritë për shpresën. Një zë për drejtësinë. Një mesazh për liderët në Hagë: nuk jeni vetëm dhe nuk jeni harruar”, thuhet në thirrjen për pjesëmarrje.
Organizatorët kanë ftuar qytetarët që t’i bashkohen aktivitetit dhe ta përcjellin mesazhin në mënyrë paqësore, qytetare dhe dinjitoze.

