Organizuar nga Bashkësia Islame e Kosovës, sot, në ambientet e Medresesë së Mesme “Alauddin” në Prishtinë u mbajt takimi i përvitshëm me bashkatdhetarët tanë që jetojnë dhe veprojnë në diasporë. Përfaqësues nga xhamitë, qendrat dhe unionet e ndryshme gjithandej Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës u mblodhën së bashku për të bashkëbiseduar dhe për të ndarë mes vete përvojat dhe sfidat e tyre në menaxhimin dhe udhëheqjen e qendrave dhe unioneve në diasporë.
Në këtë takim, përveç mysafirëve nga diaspora, i pranishëm qe edhe Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava dhe ministri në detyrë për Punë të Jashtme dhe Diasporë, z. Glauk Konjufca.
Në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar të pranishmëve, drejtori i Diasporës në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, Ekrem ef. Simnica, iu shprehu mirëseardhje bashkatdhetarëve tanë, duke iu dëshiruar pushime të mbara në vendlindje. Ai shprehu falënderimet e tij për bashkëpunimin e deritanishëm të xhamive, qendrave dhe unioneve me Drejtorinë e Diasporës, duke shprehur kështu gatishmërinë për një bashkëpunim të tillë edhe në të ardhmen.
Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, në fjalën përshëndetëse çmoi lart kontributin e bashkatdhetarëve tanë dhënë përgjatë viteve qoftë për Kosovën në përgjithësi, por edhe për Bashkësinë Islame në veçanti. Ai tha se kur Kosova kishte nevojë për ju, ju ishit aty ku kërkonte nevoja, por edhe kur kishim nevojë për donacionet tuaja, ju prapë u gjendet aty ku kërkohej.
Myftiu Tërnava ndër të tjera përmendi edhe kontributin e bashkatdhetarëve tanë dhënë për Shoqatën Humanitare Bamirëse “Bereqeti”, duke përmendur kështu edhe ndihmat e ofruar gjatë vitit të kaluar dhënë për familjet nevojtare gjithandej Kosovës. Myftiu Tërnava ndër të tjera përmendi se historia shqiptare nuk mund të shkruhet e plotë pa mërgatën shqiptare, njashtu siç nuk mund të shkruhet e plotë pa përmendur kontributin e Bashkësisë Islame të Kosovës, e në veçanti e Medresesë për çlirimin e vendit.
Kryediplomati i Kosovës, z. Glauk Konjufca tha se ndihet tejet i nderuar që sot gjendet në mesin e bashkatdhetarëve tanë në Medresenë “Alauddin”, duke vlerësuar kështu rolin dhe kontributin e këtij institucioni arsimor në periudha të ndryshme kohore, e me theks të veçantë gjatë viteve të luftës.
Në emër të bashkësive islame shqiptare në diasporë folën Tahir Kukaj nga ShBA-ja, Besnik Kadriolli nga Gjermania, Vahidin Behluli nga Austria, Nuhi Shaqiri nga Belgjika dhe dr. Mexhit Osmani nga Zvicra, të cilët vlerësuan lart bashkëpunimin me institucionin e Bashkësisë Islame të Kosovës.
Krejt në fund të takimit, Myftiu Tërnava ndau nga një mirënjohje për përfaqësuesit e këtyre xhamive për kontributin e tyre në forcimin e jetës fetare, ruajtjen e identitetit kombëtar dhe bashkëpunimin me Bashkësinë Islame të Kosovës.












