Aida Ferati-Doli, zëvendëskryesuese e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, tërhoqi vëmendjen duke thënë se mungesa e mbajtjes së mbledhjeve me rregull ka pamundësuar shqyrtimin e ankesave dhe kërkesave të qytetarëve.
Këto kritika i dha gjatë mbledhjes së sotme të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut.
“E kam lexuar raportin e Kuvendit Komunal, pjesë përbërëse e të cilit jam edhe unë. Ai raport paraqet një mos-punë të këtij kuvendi, për shkak se e shohim në raport se mbledhjet e rregullta nuk janë mbajtur me rregull. Kanë kaluar nga dy muaj, nuk kemi mbajtur mbledhje, gjë që e ka bërë të pamundur me i shqyrtuar hallet e qytetarëve që i përfaqësojmë këtu”, tha ajo.
Ajo tha se në jemi në muajin e 11-të këtij viti, ku nga 5 dhjetori është kuvendi dhe sipas saj, deri më tani, janë mbajtur vetëm 8 mbledhje të rregullta.
“Me sa mbaj mend, më 5 dhjetor i bëjmë një vit të këtij kuvendi. Sot jemi në muajin e 11-të të këtij viti dhe deri më tani kemi vetëm 8 mbledhje të rregullta të Kuvendit Komunal”, tha Ferati-Doli.
Në këtë mbledhje po diskutohet edhe për miratimin e raportit nëntë mujor të punës së këtij kuvendi.

