Rusia ka vendosur të mbyllë Konsullatën e Përgjithshme të Gjermanisë në Shën Petersburg, duke përshkallëzuar më tej tensionet diplomatike mes Moskës dhe Berlinit.
Vendimi i Moskës vjen si kundërpërgjigje ndaj masave të marra nga Gjermania për mbylljen e Konsullatës së Përgjithshme Ruse në Bon dhe të një qendre kulturore ruse në Berlin.
Ministria e Jashtme ruse ka njoftuar se konsullata gjermane duhet të ndërpresë aktivitetin e saj jo më vonë se më 18 shtator 2026. Punonjësit e saj duhet të largohen nga territori rus deri në të njëjtën datë.
Moska ka urdhëruar gjithashtu ndërprerjen e veprimtarisë së qendrave të Goethe-Institut në Rusi. Punonjësit e dërguar nga Gjermania duhet të largohen nga vendi deri më 13 shtator.
Përplasja diplomatike mes dy vendeve është përshkallëzuar pas akuzave të Gjermanisë se Rusia qëndronte pas një tentative për sulm me dron në aeroportin Leipzig/Halle në gusht.
Moska i ka mohuar këto akuza, duke i cilësuar si të pabazuara.

