Deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë reaguar ndaj mënyrës se si deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, e propozoi Sllavko Simiqin për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës.
Gjatë propozimit, Igor Simiq tha se kandidatura e Sllavko Simiqit bëhet “në emër të popullit serb”, formulim që nxiti reagime nga deputetët e VV-së.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë dhe deputetja e VV-së, Donika Gërvalla, tha se në Kosovë bëhet fjalë për komunitetin serb dhe jo për “popullin serb”.
“Populli serb zgjedhjet i ka në Serbi, më 25 tetor”, shkroi Gërvalla.
Reagimi i saj erdhi pasi Igor Simiq, gjatë seancës konstituive, prezantoi kandidaturën e Sllavko Simiqit për pozitën e nënkryetarit.
“Në emër të popullit serb dhe me nënshkrimet e 9 nga 10 deputetët që e bëjnë shumicën e deputetëve serbë, e propozojmë Sllavko Simiqin për nënkryetar”, deklaroi Igor Simiq.
Ndaj kësaj deklarate reagoi edhe deputeti i VV-së, Vigan Qorrolli, i cili tha se Kushtetuta e Kosovës nuk njeh kategori institucionale si “populli serb”.
“Ajo njeh komunitetet që u përkasin komuniteteve joshumicë, ndërsa përfaqësimi i tyre institucional ndërtohet mbi të drejta të komuniteteve dhe jo mbi pretendimin për një mandat ekskluziv në emër të një ‘populli’”, shkroi Qorrolli.
Sipas tij, askush nuk mund ta shndërrojë komunitetin joshumicë serb në një kategori tjetër, të cilën, siç tha ai, Kushtetuta nuk e njeh.
Lexo po ashtuNjë person gjendet pa shenja jete në banesën e tij në Prishtinë“Prandaj, askush nuk mund ta shndërrojë një kategori kushtetuese – komunitetin joshumicë serb – në një kategori tjetër që Kushtetuta nuk e njeh, ‘popullin serb’, dhe pastaj të ndërtojë mbi këtë pretendim një të drejtë ekskluzive për një pozitë kushtetuese. Kjo ka rëndësi të drejtpërdrejtë për kandidaturën për nënkryetar të Kuvendit”, shtoi Qorrolli.
Ndërkaq, deputeti Ilir Kërçeli kërkoi që Prokuroria të merret me deklaratën e Igor Simiqit.
“Nuk ka votë për Simiqin. Për të ka vetëm thirrje për Prokurorinë, lidhur me deklaratën e bërë gjatë propozimit të tij”, shkroi Kërçeli.
Seanca konstituive e Kuvendit është ndërprerë për një pauzë prej 30 minutash.
Kryetarja e sapozgjedhur e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se partitë parlamentare nuk kanë arritur pajtim për mënyrën e votimit të nënkryetarëve.
Sipas saj, një prej propozimeve është që kandidatët për nënkryetarë të votohen në pako, por për këtë mënyrë votimi ka pasur rezerva nga disa subjekte politike.
Haxhiu po ashtu i kërkoi Listës Serbe që propozimin për kandidatin e saj për nënkryetar të Kuvendit ta dorëzojë me shkrim.
/Kosovapress/

