Enj. Gus 20th, 2026

Letra qe PDK i la në tavolinat e deputetëve të LVV-së

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, të cilët po qëndrojnë në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës, u kanë lënë në tavolinat e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje nga një letër me thirrje për respektimin e Kushtetutës dhe konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Letrat janë vendosur gjatë seancës së thirrur nga PDK-ja, në kuadër të kërkesës së saj që seanca konstituive të vazhdojë çdo 48 orë deri në përfundimin e procesit të konstituimit të kuvendit.

Deputetët e LVV-së nuk morën pjesë në seancë, ndërsa PDK-ja përsëriti akuzat se partia që ka marrë shumicën në zgjedhjet e fundit, po refuzon ta marrë përgjegjësinë kushtetuese për krijimin e institucioneve.

Në letrën drejtuar deputetëve të shumicës, PDK-ja u kërkon atyre që mandatin ta ushtrojnë në emër të qytetarëve dhe jo sipas interesave apo urdhrave partiakë.

“Kushtetuta është mbi partinë, republika është mbi liderin politik dhe mandati qytetar mbi urdhrin politik”, thuhet ndër të tjera në letër.

PDK-ja u ka bërë thirrje deputetëve të shumicës që të marrin përgjegjësi individuale për funksionalizimin e kuvendit, duke theksuar se një detyrim kushtetues nuk mund të kushtëzohet nga kalkulimet politike.

Postime të Ngjashme