Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim me ekipin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT), të udhëhequr nga koordinatori për zhvillim i OKB-së, Stephen O’Malley.
Gjatë takimit, Kurti dorëzoi formalisht dokumentin e miratimit të Planit Strategjik të UNKT 2026–2030, ndërsa u riafirmua përkushtimi i përbashkët për avancimin e prioriteteve zhvillimore të Kosovës dhe zbatimin e Agjendës 2030.
Ai theksoi se prioritetet e identifikuara në Planin Strategjik, si zhvillimi i kapitalit njerëzor, llogaridhënia në qeverisje, sundimi i ligjit dhe zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, përputhen me prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Kryeministri në detyrë shtoi se synimi është që këto prioritete të shndërrohen në përmirësime konkrete: shërbime më të mira, më shumë vende pune dhe mundësi punësimi, institucione më të forta dhe zhvillim të qëndrueshëm, nga i cili përfitojnë të gjitha komunitetet.
Ai falënderoi ekipin e Kombeve të Bashkuara për mbështetjen, angazhimin, eksperizën dhe kontributin në rrugën e zhvillimit të Republikës së Kosovës

