Enj. Gus 6th, 2026

Kurti: Pa marrëveshje nuk do ta krijojmë asnjë institucion, po bëj përpjekje për ta shmangur një palë zgjedhje të reja

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se kësaj radhe nuk dëshiron që institucionet të krijohen pa marrëveshje politike, duke theksuar se ka ndryshuar qasjen ndaj partive opozitare, .

Ai kujtoi se në pranverë ishte kritikuar nga LDK-ja për zgjedhjen e kryesisë së Kuvendit pa konsultime, ndërsa tani, sipas tij, po zhvillon takime për të arritur dakordim.

Kurti tha se ka mbajtur shënim të gjitha vërejtjet dhe kërkesat e opozitës, ndërsa shtoi se tani vetë po merr iniciativën për takime.

“Takimet me PDK-në e AAK-në do të ishin lajm, ndërsa me LDK-në lajm do të jetë vetëm nëse arrijmë marrëveshje”, u shpreh ai.

Sipas Kurtit, vendi duhet të ecë përpara sa më shpejt dhe duhet të shmanget mbajtja e një pale zgjedhje të reja, të cilat i cilësoi të panevojshme dhe të paarsyeshme.

Ai theksoi se vazhdon ta ushtrojë detyrën e kryeministrit në përputhje me Kushtetutën, ndërsa ftoi edhe kryetarin e AAK-së në detyrë, Ardian Gjinin, për takim, duke thënë se komunikimi mes partive është thelbësor.

Postime të Ngjashme