Sht. Nën 14th, 2026

Kurti në Dublin kërkon hapjen e negociatave për anëtarësimin e Kosovës në BE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian të shqyrtohet dhe vendi të nisë negociatat për anëtarësim.

Siç bën të ditur Zyra e Kryeministrit, këtë kërkesë Kurti e ka paraqitur gjatë një adresimi dhe diskutimi në Institutin për Çështje Ndërkombëtare dhe Evropiane (IIEA) në Dublin të Irlandës, ku ishte i ftuar për të folur mbi temën “Rrugëtimi i Kosovës: nga shtetësia drejt integrimit evropian”.

Kurti ka theksuar se Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që ende nuk e ka marrë statusin e vendit kandidat, ndonëse aplikimin për anëtarësim në BE e ka dorëzuar më 15 dhjetor 2022, gjatë presidencës çeke të Këshillit të BE-së.

“Irlanda është presidenca e tetë që nga ajo kohë dhe ne ende mbetemi i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa status kandidati. Aplikimi ynë duhet të vlerësohet dhe ne duhet t’i fillojmë negociatat për anëtarësim. Ne kurrë nuk kemi kërkuar trajtim të veçantë, vetëm trajtim të barabartë”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka thënë se Kosova ka avancuar në përafrimin e ligjeve, politikave dhe institucioneve me standardet evropiane, që nga hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit në vitin 2016.

Sipas tij, vendi ka ndërmarrë reforma në energji, administratë publike, punësim dhe zhvillim industrial, ndërsa ka përshpejtuar edhe tranzicionin e gjelbër dhe atë digjital.

Kurti ka theksuar se procesi i integrimit evropian duhet të jetë i drejtë dhe i besueshëm, duke kërkuar që kontestet dypalëshe të trajtohen veçmas dhe të mos pengojnë përparimin në fusha të tjera.

“Mosmarrëveshjet dypalëshe duhet ta kenë kapitullin e tyre të veçantë në procesin e anëtarësimit, në mënyrë që një çështje të mos e bllokojë përparimin në të gjitha fushat e tjera që përmirësojnë jetën e qytetarëve”, ka thënë ai.

Në fjalimin e tij, kryeministri ka folur edhe për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Irlandës, duke përmendur vlerat e përbashkëta, rëndësinë e diasporës dhe lidhjen historike përmes Nënë Terezës, e cila në moshën 18-vjeçare kishte ardhur në Dublin për t’iu bashkuar Motrave të Loretos.

Ai ka shprehur mirënjohje për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Irlanda në vitin 2008, në të njëjtin muaj kur Kosova e shpalli pavarësinë.

Duke folur për zhvillimet në vend, Kurti ka përmendur progresin demokratik, rritjen ekonomike dhe reformat e ndërmarra nga institucionet. Ai ka thënë se ekonomia e Kosovës gjatë kësaj dekade është rritur mesatarisht me mbi katër për qind në vit, pavarësisht pandemisë, krizës energjetike dhe inflacionit.

Në pjesën e fjalimit kushtuar sigurisë, Kurti ka përmendur sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023, dhe sulmin ndaj infrastrukturës kritike në Varagë të Zubin Potokut, më 29 nëntor 2024.

Ai ka thënë se këto sulme dëshmojnë se Serbia vazhdon të ketë qasje agresive ndaj Kosovës dhe përbën kërcënim për sigurinë kombëtare.

“Përgjegjësia është thelbësore jo vetëm për drejtësinë, por edhe për parandalimin e sulmeve të ardhshme”, ka deklaruar Kurti.

Kryeministri ka përsëritur se Kosova synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO, duke theksuar se është plotësisht e harmonizuar me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë dhe mbështetjen për Ukrainën.

Në fund të adresimit, Kurti ka shprehur pritjen që Irlanda, gjatë presidencës së saj të Këshillit të BE-së dhe pas përfundimit të saj, ta mbështesë rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit.

Postime të Ngjashme