Hën. Qer 8th, 2026

Krasniqi: Të mos rrezikojmë Lojërat Mesdhetare, do të ishte humbje e një pjese të pavarësisë

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, ka bërë thirrje për formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja të vendit, duke theksuar se vonesat politike mund të ndikojnë negativisht në përgatitjet për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Pas votimit në zgjedhjet parlamentare, Krasniqi tha se Kosova ndodhet para një momenti historik, ndërsa realizimi i projekteve infrastrukturore sportive kërkon mbështetje të plotë institucionale dhe vendimmarrje të shpejtë. Ai theksoi se Komiteti Olimpik i Kosovës ka marrë përgjegjësi të mëdha me organizimin e Lojërave Mesdhetare dhe se tashmë ekzistojnë vonesa në realizimin e disa projekteve të rëndësishme.

“Unë edhe një herë uroj që sa më shpejt të formohet qeveria e Kosovës sepse është interes i Komitetit Olimpik të Kosovës, sepse e dimë që Komiteti Olimpik i Kosovës i ka marrë Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, që shumë shpejt duhet të fillojmë edhe me infrastrukturën sportive që jemi me vonesë. Kështu që pa një qeveri stabile nuk është e mundur që të punojmë. Kështu që besoj që sa më shpejt të krijohet qeveria, të krijohet presidentja apo presidenti dhe të fillojmë me punët tona të cilat na presin. Është një rast historik për Kosovën Lojërat Mesdhetare edhe nuk duhet në asnjë moment që t’i humbasim. Pra, ky është një rast, zgjedhjet janë shumë të rëndësishme për neve dhe besoj që shumë shpejt do të formohet qeveria dhe të vazhdojmë punën”, theksoi Krasniqi.
Ai ngriti shqetësimin për vonesat në përmirësimin e infrastrukturës sportive dhe në projektin e stadiumit kombëtar, duke nënvizuar se garancitë shtetërore të dhëna për organizimin e Lojërave Mesdhetare duhet të përmbushen pa asnjë kompromis.

Sipas Krasniqit, ndërtimi i objekteve sportive të parapara është kusht themelor për mbajtjen e Lojërave Mesdhetare në Kosovë. Ai paralajmëroi se çdo dështim në realizimin e këtyre projekteve mund të rrezikojë seriozisht të drejtën e organizimit të kësaj ngjarjeje të madhe sportive.

“Unë mendoj që është e domosdoshme, edhe është e patjetërsueshme që duhet të realizohen sepse kemi dhënë garancione shtetërore që ato të ndërtohen. Sepse pa ndërtimin e infrastrukturës sportive, pa stadiumin kombëtar dhe pa të gjitha ato të cilat i kemi premtuar, është e pamundur që t’i marrim Lojërat Mesdhetare. Humbja e Lojërave Mesdhetare është një humbje e një pjese të pavarësisë së shtetit tonë, kështu që nuk guxojmë të rrezikojmë në asnjë moment. Edhe nuk besoj që asnjë parti apo individ ka qëllime të tilla, po kjo lyp një unitet, një bashkim që vetëm së bashku mund të arrijmë qëllimin të cilin e synojmë”, tha Krasniqi në fund.
Për të shmangur këtë skenar fatal që nuk guxon të rrezikohet në asnjë moment, kërkohet një bashkim i menjëhershëm i forcave përtej çdo interesi partiak apo individual, me të vetmin synim përmbushjen e këtij misioni madhor.

LEXO LAJMIN EDHE NË
KOSOVAPRESS

Postime të Ngjashme