Enj. Nën 26th, 2026

Kontestohet tenderi 2.5 milionë euro për targat e automjeteve, një kompani ankohet për specifikat e MPB-së

Tenderi mbi 2.5 milionë euro i Ministrisë së Punëve të Brendshme për furnizimin me targa të automjeteve është përfshirë në një kontest pas ankesës së kompanisë Horn & Co. Kosova SH.P.K. në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP). Kompania kundërshton disa nga specifikat teknike të përcaktuara në dosjen e tenderit, duke pretenduar se kërkesa për dorëzimin e mostrave fizike me mbishkrimin identik RKS mund të kufizojë konkurrencën dhe të krijojë pengesa për operatorët e tjerë ekonomikë.

Ministria e Punëve të Brendshme më 15 tetor 2026 ka hapur aktivitetin e prokurimit , me titull “Furnizim me targa për regjistrimin e automjeteve”.

Vlera e parashikuar e këtij tenderi është 2,561,198.50 euro, ndërsa kontrata është planifikuar të zgjasë 36 muaj.

Procedura përfshin gjithsej 63 artikuj dhe kategori të ndryshme të targave, me sasi indikative prej rreth 387 mijë palësh dhe copësh. Në këtë sasi përfshihen edhe 330 mijë palë targa të zakonshme.

Afati për dorëzimin e ofertave ishte caktuar më 23 nëntor 2026, në orën 14:00. Njoftimi për kontratë ishte publikuar më 15 tetor, ndërsa më 10 nëntor MPB-ja kishte publikuar edhe formularin korrigjues.

Sipas ankesës së paraqitur në OSHP, Horn & Co. kundërshton kërkesën e MPB-së që operatorët ekonomikë të dorëzojnë dy mostra fizike të targës së zakonshme, me dimensione 520 × 110 milimetra, të cilat duhet të përmbajnë të gjitha masat e veçanta të sigurisë, përfshirë edhe mbishkrimin specifik RKS.

Kompania pretendon se kjo kërkesë është joproporcionale dhe mund të krijojë pengesa për prodhuesit e tjerë, të cilët kanë teknologjinë dhe kapacitetet e nevojshme për prodhimin e targave, por që nuk e kanë paraprakisht të përgatitur dizajnin specifik RKS.

Në ankesë argumentohet se aftësia teknike dhe kapaciteti prodhues mund të dëshmohen edhe përmes mostrave me shenja identifikuese të prodhuesit ose mbishkrime ekuivalente, pa qenë e domosdoshme që ato të përmbajnë që në fazën e ofertimit mbishkrimin identik RKS.

Horn & Co. sqaron se nuk kërkon heqjen e standardeve të sigurisë dhe as prodhimin e targave përfundimtare pa elementet e kërkuara nga MPB-ja. Sipas kompanisë, kundërshtimi lidhet vetëm me mostrat demonstrative që kërkohen gjatë fazës së ofertimit, përmes të cilave duhet të dëshmohet teknologjia dhe kapaciteti prodhues.

Kompania thekson se operatori që do ta fitojë kontratën do të jetë i obliguar që gjatë ekzekutimit të saj të prodhojë dhe furnizojë targa me të gjitha elementet origjinale të sigurisë dhe me mbishkrimin RKS, në përputhje me specifikimet e përcaktuara nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Për këtë çështje, Horn & Co. më 17 nëntor 2026 kishte paraqitur kërkesë për rishqyrtim pranë MPB-së, duke kërkuar ndryshimin e kërkesave për mostrat fizike. Megjithatë, ministria më 19 nëntor e kishte refuzuar kërkesën.

Pas refuzimit, më 20 nëntor 2026, kompania iu drejtua OSHP-së me ankesë, duke pretenduar se kushtet e përcaktuara në dosjen e tenderit mund të jenë në kundërshtim me parimet e konkurrencës së drejtë dhe trajtimit të barabartë të operatorëve ekonomikë.

Në mbështetje të pretendimeve të saj, kompania i referohet nenit 7 të Ligjit për Prokurimin Publik, që lidhet me barazinë në trajtim dhe jodiskriminimin, si dhe nenit 28, i cili rregullon specifikimet teknike.

Përmes ankesës, kompania në fjalë po kërkon nga OSHP-ja që ta aprovojë atë si të bazuar dhe ta obligojë MPB-në të ndryshojë kushtet për dorëzimin e mostrave fizike. Ajo kërkon që të lejohen shenjat identifikuese të prodhuesit ose mbishkrimet ekuivalente në mostrat demonstrative, si dhe të pranohen dokumentacioni teknik, certifikatat dhe raportet e testimit si dëshmi të kapaciteteve të prodhuesve.

Në rast të ndryshimit të dosjes së tenderit, kompania kërkon që operatorëve ekonomikë t’u jepet një afat i përshtatshëm për përgatitjen e ofertave dhe mostrave.

 

 

 

 

Postime të Ngjashme