Mër. Nën 11th, 2026

Komisionet parlamentare mblidhen sot, në rend dite hetimi për rastin e Arlinda Zekajt dhe buxheti për vitin 2027

Në Kuvendin e Kosovës sot do të vijojnë mbledhjet e komisioneve parlamentare, ku në fokus do të jenë hetimi parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt, shqyrtimi i raporteve të auditimit dhe Projektligji për Buxhetin e Kosovës për vitin 2027, .

Në orën 09:00 do të mblidhet Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.

Sipas rendit të ditës, anëtarët e këtij komisioni do të shqyrtojnë miratimin e rendit të ditës dhe zgjedhjen e ekspertëve të jashtëm që do të angazhohen në punën e komisionit.

Në orën 10:00 do të mbahet edhe mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ku do të shqyrtohen raportet e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të tri institucioneve dhe ndërmarrjeve publike për vitin 2025.

Bëhet fjalë për raportet e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidrodrini”, ndërmarrjes “Trepça” SH.A. dhe Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale. Në këtë mbledhje janë ftuar kryeshefat ekzekutivë dhe kryesuesit e bordeve përkatëse.

Po në orën 10:00 do të mblidhet Komisioni për Kulturë, Turizëm, Sport dhe Rini, i cili do të shqyrtojë në parim Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore.

Ndërkaq, në orën 11:00 është paraparë mbledhja e Komisionit për Buxhet, ku në rend dite është shqyrtimi në parim i Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2027.

Ky komision do të votojë gjithashtu raportin vjetor financiar të Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2025.

Mbledhja e fundit e paraparë për këtë ditë është ajo e Komisionit për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, e cila do të nisë në orën 13:00.

Anëtarët e këtij komisioni do të shqyrtojnë dokumentacionin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Postime të Ngjashme