Avokati Arianit Koci ka bërë të ditur se, pas publikimit të ankesave të bashkatdhetarëve për ndalime nga policia serbe gjatë tranzitit nëpër Serbi, nuk ka marrë më asnjë raportim të ngjashëm.
Sipas Kocit, më herët qytetarët i kishin raportuar raste të ndalimeve nga policia, ndërsa në disa raste kishin pretenduar edhe se u ishin marrë para. Ai thotë se, që nga publikimi i këtyre shqetësimeve, nuk është njoftuar për asnjë rast të ri.
“Diçka ka ndryshuar. Prej kur i kam bërë publike disa ankesa të bashkatdhetarëve tanë, të cilët gjatë transitit nëpër Serbi më kishin raportuar se ishin ndaluar nga policia, e në disa raste se u ishin marrë edhe të holla, nuk kam marrë më asnjë raportim të tillë. Asnjë”, ka thënë Koci.
Koci ka shtuar se shpreson që kjo të nënkuptojë se janë marrë masa për të parandaluar raste të tilla, duke theksuar se deklarimet e tij janë publikuar edhe në disa media në Serbi.
Ai bëri të ditur se, edhe gjatë pushimeve, vazhdon të kontaktohet çdo ditë nga bashkatdhetarë që udhëtojnë nga vende të ndryshme, të cilët e informojnë për aksidente, ndalime dhe probleme të tjera gjatë rrugës. Sipas tij, në shumë raste ka mundur t’u ofrojë ndihmë.
Në fund, Koci u ka bërë thirrje bashkatdhetarëve që çdo incident apo problem gjatë kalimit nëpër Serbi ta raportojnë.
Megjithatë, ai ka sqaruar se raportimet që i ka bërë publike për problemet me policinë serbe nuk ka pasur mundësi t’i verifikojë në mënyrë të pavarur, por në disa raste, me rekomandimin e tij, ato janë raportuar edhe në ambasadat e Republikës së Kosovës.

