AVONET-i ka shprehur shqetësimin lidhur me mungesën e ditarëve shkollorë në shkollat e Kosovës, edhe në ditën e katërt nga fillimi i vitit të ri shkollor.
Sipas AVONET-it, ditari shkollor është një mjet bazë për evidentimin, dokumentimin dhe administrimin e procesit mësimor, ndërsa mungesa e tij në ditët e para të vitit shkollor ngre shqetësime për planifikimin dhe menaxhimin institucional.
Reagimi i plotë:
AVONET-i shpreh shqetësimin e thellë lidhur me mungesën e ditarëve shkollorë në shkollat e Republikës së Kosovës, edhe në ditën e katërt nga fillimi i vitit të ri shkollor.
Ditari shkollor është një nga mjetet bazë për evidentimin, dokumentimin dhe administrimin e procesit mësimor. Fakti që mësimdhënësit, në ditët e para të vitit shkollor, nuk kanë në dispozicion një mjet elementar të punës, është i papranueshëm dhe ngre seriozisht çështjen e planifikimit dhe menaxhimit institucional të fillimit të vitit shkollor.
Ku ishte planifikimi i Ministrisë së Arsimit? Pse ditarët nuk janë siguruar dhe shpërndarë para fillimit të procesit mësimor? Kush mban përgjegjësi për këtë situatë?
AVONET konsideron se kjo nuk mund të trajtohet si një çështje e zakonshme administrative apo si një vonesë e parëndësishme. Katër ditë pa një mjet bazë të punës janë tregues i një dështimi në planifikim dhe koordinim institucional.
Është e pakuptimtë që në Kosovë të flitet për reforma të thella në arsim, digjitalizim, rritje të cilësisë dhe modernizim të sistemit arsimor, ndërkohë që shkollat përballen me mungesën e mjeteve elementare për zhvillimin dhe dokumentimin e procesit mësimor.
Nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit nuk meritojnë arsyetime. Ata meritojnë institucione të përgjegjshme, të organizuara dhe të gatshme për të përmbushur detyrimet e tyre në kohë.
AVONET i kërkon Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit që urgjentisht të japë një sqarim publik lidhur me:
1. Arsyen e mungesës së ditarëve shkollorë;
2. Masat e ndërmarra për furnizimin e menjëhershëm të shkollave;
3. Afatin konkret kur të gjitha shkollat do të pajisen me ditarë;
4. Përgjegjësinë institucionale për këtë vonesë.
AVONET-i do të vazhdojë ta monitorojë këtë çështje dhe kërkon nga institucionet përgjegjëse që problemet e tilla të mos normalizohen dhe të mos arsyetohen, por të adresohen me përgjegjësi dhe transparencë.

