Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas kallëzimit penal ndaj ministrit të Financave, Petrit Malaj, lidhur me bllokimin e pagave të magjistratëve (gjyqtarë e prokurorë).
Shefi i qeverisë në Tiranë tha se në padi duhej të përfshihej edhe emri i tij dhe ai i ministrit të Drejtësisë.
Sipas tij, Malaj ishte konsultuar paraprakisht me ta për qëndrimin e mbajtur ndaj kërkesës për rritjen e pagave.
“Kallëzimi penal i gjykatësve për ministrin e Financave ka vetëm një mangësi: mungon emri im dhe ai i ministrit të Drejtësisë”, shkroi Rama në platformën X, transmeton KosovaPress.
Ai tha se ekipet juridike kanë vlerësuar unanimisht se pushteti gjyqësor nuk mund të hapë thesarin pa miratimin e Kuvendit.
Rama e cilësoi rastin si një histori të “vetërritjes së rrogave” nga kategoria më e paguar në Shqipëri.
“Pagat do të rriten me vendim të Kuvendit dhe në respekt të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, shtoi ai.
Reagimi erdhi pasi 20 nëpunës autorizues të gjykatave paraqitën kallëzim penal në Prokurorinë e Posaçme.
Padisë iu bashkuan drejtuesit e Unionit të Gjyqtarëve, Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve dhe Shoqatës së Prokurorëve.
Përveç Malajt, kallëzimi përfshin sekretarin e përgjithshëm Gentian Këri dhe përgjegjësit e 16 degëve të Thesarit.
Sipas Top Channel, akuzuesit kërkojnë hetime për shpërdorim detyre, pengim dhe mosekzekutim të vendimeve gjyqësore.
Rasti lidhet me bllokimin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve për muajin gusht.
Gjykata Kushtetuese në Shqipëri kishte shfuqizuar ndryshimet ligjore të vitit 2023, duke konstatuar ulje “të fshehtë” të pagave të magjistratëve.
Kuvendi I republikës kishte afat deri më 31 korrik për miratimin e ndryshimeve, por nuk e kishte respektuar atë.
Më pas, Këshilli i Lartë Gjyqësor urdhëroi zbatimin e pagës referuese bazë nga 1 gushti.
Megjithatë, degët e Thesarit në shumicën e vendit refuzuan urdhërpagesat me formulën e re. Përjashtim bënë degët në Kukës dhe Dibër.
Malaj e arsyetoi vendimin me nevojën për verifikimin e bazës ligjore dhe pritjen e ndryshimeve nga Kuvendi.
Kallëzuesit pretendojnë se Ministria dhe Thesari nuk kanë kompetencë ta bllokojnë ekzekutimin e një vendimi gjyqësor.

