Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka nisur veprimet hetimore dhe verifikuese lidhur me mënyrën se si Policia e Kosovës i ka trajtuar rastet e raportuara nga e ndjera Arlinda Zekaj.
Sipas njoftimit të IPK-së, veprimet po ndërmerren me autorizimin e Prokurorisë së Shtetit, me qëllim të verifikimit të plotë të procedurave dhe veprimeve të ndërmarra nga zyrtarët policorë gjatë trajtimit të raportimeve të saj.
Në kuadër të hetimeve, IPK-ja do të shqyrtojë mënyrën e pranimit, evidentimit, vlerësimit dhe trajtimit të secilit raportim, si dhe nëse zyrtarët policorë përgjegjës kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme.
Qëllimi i këtij procesi është të vlerësohet nëse veprimet e Policisë kanë qenë në përputhje me ligjin dhe procedurat në fuqi, si dhe të identifikohen përgjegjësitë eventuale individuale apo institucionale, në rast se konstatohen shkelje ose lëshime.
IPK ka bërë të ditur se do të vazhdojë trajtimin e kësaj çështjeje në koordinim me institucionet kompetente të drejtësisë, duke synuar një proces profesional, të paanshëm dhe gjithëpërfshirës.

