Enj. Gus 6th, 2026

IKD: Ndërprerja e seancës konstituive cenon Kushtetutën dhe nuk mund të arsyetohet me mungesën e marrëveshjes politike

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) shpreh shqetësim të thellë për ndërprerjen e seancës konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në prag të përfundimit të afatit kushtetues për konstituimin e tij. Ushtruesja e detyrës së Presidentes e ka thirrur seancën në ditën e tridhjetë, duke ua lënë partive politike gjithë kohën e nevojshme për të arritur marrëveshje për institucionet e reja. Megjithatë, mungesa e një marrëveshjeje politike nuk mund të shndërrohet në arsye për bllokimin e Kuvendit dhe cenimin e rendit kushtetues.

Seanca nisi në përputhje me rendin e përcaktuar: u verifikua kuorumi, deputetët dhanë betimin dhe u miratua raporti i komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve. Pikërisht kur Kuvendi duhej të vazhdonte pa humbur kohë me zgjedhjen e organeve të tij, procedura konstituive u shndërrua në hapësirë për deklarime politike dhe negociata për zgjedhjen e presidentit të republikës.

Kërkesa e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për kohë shtesë për bisedime me partitë parlamentare dhe vendimi i kryesuesit Avni Dehari për ndërprerjen e seancës nuk kanë mbështetje në natyrën dhe qëllimin e seancës konstituive. Sipas nenit 9, paragrafit 3, të rregullores së kuvendit, në seancën konstituive nuk zhvillohet debat. Rrjedhimisht, kjo seancë nuk mund të përdoret për diskutime politike, kërkesa jashtë rendit të përcaktuar apo kushtëzimin e konstituimit me marrëveshje për çështje të tjera.

Zgjedhja e Presidentit është çështje me rëndësi të jashtëzakonshme kushtetuese, por ajo përbën proces të veçantë dhe nuk mund të vendoset si parakusht për konstituimin e Kuvendit. Kuvendi duhet së pari të konstituohet sipas Kushtetutës, Rregullores dhe aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese. Negociatat politike mund dhe duhet të zhvillohen jashtë seancës, pa e marrë peng institucionin më të lartë përfaqësues të Republikës.

Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar qartë detyrimin e deputetëve që Kuvendi të konstituohet brenda afatit prej tridhjetë ditësh. Ky nuk është afat orientues dhe as çështje e vullnetit politik, por detyrim kushtetues që duhet respektuar nga secili deputet dhe nga organet që drejtojnë seancën. Fakti se Kushtetuta dhe aktgjykimet e Gjykatës nuk kanë përcaktuar shprehimisht pasojën juridike për moskonstituimin brenda afatit nuk krijon leje për shkeljen e tij.

Mungesa e një sanksioni të përcaktuar nuk e bën të ligjshme shkeljen e Kushtetutës. Përkundrazi, përpjekja për ta shfrytëzuar këtë zbrazëti si hapësirë për zvarritje do të përbënte veprim kundërkushtetues, cenim të sundimit të ligjit dhe vazhdim të një praktike të rrezikshme të bllokimit të institucioneve. Kushtetuta nuk zbatohet vetëm kur parashikon ndëshkim, ajo duhet të respektohet sepse është akti më i lartë juridik i republikës.

Partitë politike kanë pasur mundësi të zhvillojnë negociata dhe të kërkojnë marrëveshje. Refuzimi i PDK-së dhe AAK-së për koalicion, si dhe mungesa e rezultatit nga takimet ndërmjet LVV-së dhe LDK-së, janë zhvillime politike që nuk mund të ndryshojnë procedurën kushtetuese të konstituimit. Asnjë parti dhe asnjë deputet nuk mund ta kushtëzojë përmbushjen e një detyrimi kushtetues me rezultatin e negociatave politike.

IKD-ja kërkon vazhdimin e menjëhershëm të seancës dhe përfundimin e konstituimit të Kuvendit brenda afatit kushtetues, pa debate, pa improvizime procedurale dhe pa kushte politike. Çdo minutë e humbur në ditën e fundit e afron vendin drejt një shkeljeje të re kushtetuese. Deputetët nuk janë betuar sot për t’i shërbyer kalkulimeve partiake, por për ta respektuar Kushtetutën dhe ligjin.

Postime të Ngjashme