Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për të Mitur, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të miturit A.O..
Kjo për shkak të faktit se me datë 14 qershor 2026, në fshatin Kobaj, Komuna e Prizrenit, i mituri A.O., në bashkëkryerje me të pandehurin Sh.O., (vëllain e tij) me dashje e privojnë nga jeta viktimën A.O., duke përdorur mjetet e mprehta – thika i sulmojnë dhe i godasin viktimat A.O., dhe I.O (i cili ka pësuar lëndime të lehta trupore) ashtu që i mituri A.O., gjatë përleshjes me thikë e godet një herë në gjoks viktimën, i cili nga plagët e marra rrëzohet në tokë ku gjatë rrugës për në spital dërgohet pa shenja jete ku është bërë edhe konstatimi i vdekjes së tij.
Me këtë në bashkëkryerje, ka kryer veprën penale – vrasja e rëndë, nga nen 173, paragrafi 1, nën paragrafi 1.5, lidhur me nenin 31, të KPRK-së, dhe veprën penale – mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, nga neni 366, par.1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Andaj Gjykata, në kuptim të Kodi të Drejtësisë për të Mitur, Kodit Penal, dhe Kodit të Procedurës Penale, të miturin A.O., e GJYKON:
– DENIM ME BURGIM në kohëzgjatje prej nëntë vitesh në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim.
Po ashtu në njoftim thuhet se në shqyrtimin gjyqësor të datës 18.09.2026, i mituri A.O., ka deklaruar se ndihet përgjegjës – fajtor, për veprat penale të cilat më vihen në barrë.
Pas kësaj trupi gjykues ka vlerësuar se i mituri ka kuptuar natyrën dhe pasojat e pranimit- përgjegjësisë. Pranimi i përgjegjësisë është bërë pas konsultimeve të mjaftueshme me mbrojtësin e tij, dhe pastaj trupi gjykues ka marrë aktvendim, me të cilin PRANOHET pranimi i përgjegjësisë-fajësisë nga i mituri A.O., nga fshati Kobaj – Komuna e Prizrenit, për shkak se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale – vrasja e rëndë, nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5, lidhur me nenin 31, të KPRK-së, dhe veprën penale – mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, nga neni 366, par.1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

