Sht. Tet 17th, 2026

Ia dha 3 gola Interit, Milani menjëherë kërkon sulmuesin e Club Brugge

Tregolëshi i shënuar ndaj Interit në “San Siro” ka rritur ndjeshëm vëmendjen ndaj Nicolò Tresoldit, i cili po tërheq interesimin e disa klubeve të mëdha evropiane.

Sulmuesi i ri është shndërruar në një emër të rëndësishëm në tregun e transferimeve, ndërsa paraqitjet e tij kanë bërë që edhe Milani ta konsiderojë si një objektiv për të ardhmen, shkruan Indeksonline.

Sipas “La Gazzetta dello Sport”, drejtuesit e klubit kuqezi po e monitorojnë nga afër situatën e Tresoldit, me presidentin e grupit pronar, Gerry Cardinale, që dëshiron të veprohet sa më herët për të mos e humbur mundësinë e transferimit të tij.

Megjithatë, Milani përballet me konkurrencë të fortë, veçanërisht nga klubet e Premier League, të cilat gjithashtu kanë shfaqur interesim për sulmuesin.

Vlera e kartonit të Tresoldit raportohet të ketë arritur tashmë në 50 milionë euro, shifër që mund të rritet edhe më shumë nëse ai vazhdon me paraqitje pozitive.

Milani po shqyrton mundësinë e një lëvizjeje që në merkaton e janarit, por edhe atë të verës së ardhshme. Mosha e re dhe potenciali për zhvillim e bëjnë Tresoldin një profil që përputhet me strategjinë e klubit italian.

Në garën për shërbimet e tij, rol të rëndësishëm pritet të ketë edhe Club Brugge, i njohur për qëndrimin e fortë në negociatat për lojtarët e vet.

Postime të Ngjashme