Organizatori i protestës “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, ka bërë thirrje për pjesëmarrje në protestë, duke kërkuar që qytetarët të bashkohen pa dallime politike.
Haziri tha se protesta është në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sipas tij, nuk mund të trajtohet si çështje e pazareve politike.
“Ejani në shesh, pa dallime partie, pa dallime bindje politike, pa dallime mes nesh. Kjo protestë është për UÇK-në, për gjakun e derdhur për liri, është për historinë tonë, e cila nuk mund dhe nuk duhet të trajtohet si çështje e pazareve politike”.
“Për ne, ky ligj është emergjencë, kjo protestë nuk është e një partie, kjo protestë nuk është e një grupi, nuk është pronë e askujt”, tha ai.
Haziri iu drejtua edhe kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se protestuesit kanë qëndruar në shesh për 21 ditë dhe do të vazhdojnë të jenë aty derisa kërkesa e tyre të marrë përgjigje.
“Kryeministër, ne jemi këtu, kemi qëndruar dje këtu, kemi qëndruar që 21 ditë dhe do të vazhdojmë të jemi këtu derisa kërkesa jonë të marrë përgjigje. Ne kemi një kërkesë të qartë, votojeni Ligjin për Dhomat e Specializuara, votoje Ligjin për UÇK-në”, u shpreh Haziri

