Zëvendës Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm për Partneritete në NATO, ambasadori Kevin Hamilton, ka realizuar vizitën e tij të parë në Kosovë.
Gjatë qëndrimit në vend, Hamilton është takuar me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Sipas komunikatës për media, në këtë takim është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit me NATO-n.
“Kryeministri në detyrë Kurti foli për zhvillimet në vend, përfshirë ato në fushën e teknologjisë dhe të mbrojtjes, si dhe për prodhimin e municionit në Kosovë. Po ashtu, biseduan për marrëdhëniet e mira me NATO-n, sigurinë në rajon dhe në Kosovë, si dhe zhvillimet politike aktuale”.
“U diskutua gjithashtu për themelimin e Xhandarmërisë së Kosovës, ku në pyetjen e z. Hamilton, kryeministri në detyrë Kurti shpjegoi konceptin dhe theksoi nevojën e kësaj strukture në forcimin e sigurisë dhe koordinimit me KFOR-in dhe NATO-n në këtë drejtim”, thuhet në njoftimin zyrtar.

