Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka zhvilluar sot një takim të përbashkët me ish-kandidatët e Aleancës për deputetë në zgjedhjet e 7 qershorit, të cilët i falënderoi për angazhimin dhe entuziazmin e treguar gjatë gjithë fushatës zgjedhore.
Përmes një postimi në Facebook, Gjini bëri të ditur se gjatë takimit është zhvilluar një diskutim përmbajtësor mbi procesin zgjedhor dhe rezultatin e arritur nga Aleanca.
Ai theksoi se pjesë e diskutimit ishin edhe angazhimet e ardhshme për organizimin e strukturave dhe fuqizimin e mëtejshëm të Aleancës.
Sipas Gjinit, Aleanca garoi me një listë cilësore kandidatësh dhe me një program që u vlerësua nga qytetarët, duke shënuar rritje të votës së përgjithshme.
“Ky besim i qytetarëve është një përgjegjësi dhe një shtytje e fuqishme për të ecur përpara, me më shumë punë dhe përkushtim në shërbim të vendit”, ka shkruar Gjini në Facebook.

