Sht. Nën 21st, 2026

FSK realizon qitje me mortaja 120 mm në poligonin e Bizës në Shqipëri

Bateritë e Regjimentit të Mbështetjes Luftarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë realizuar me sukses qitje me municion luftarak nga mortaja 120 mm, e sistemit Vuran, në poligonin e qitjes në Bizë të Shqipërisë.

Aktiviteti është zhvilluar në kuadër të procesit të avancimit dhe zhvillimit të kapaciteteve operacionale të Mbështetjes Luftarake të Komandës së Forcave Tokësore (KFT).

Sipas njoftimit nga ana e FSK-së, qitjen e kanë përcjellë nga afër Komandanti i KFT-së, gjeneral brigade Mehmet Lladrovci, i shoqëruar nga stafi i tij, Atasheu Ushtarak i FSK-së në Shqipëri, si dhe përfaqësues të Forcave Tokësore të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, transmeton IndeksOnline.

Vizita kishte për qëllim vlerësimin e realizimit të qitjeve dhe zbatimin e procedurave të planifikimit dhe ekzekutimit të mbështetjes luftarake me zjarr indirekt.

Gjatë aktivitetit, pjesëtarët e Regjimentit të Mbështetjes Luftarake dëshmuan profesionalizëm në zbatimin e procedurave të sigurisë dhe përdorimin e sistemit të mortajës 120 mm Vuran.

Me këtë rast, gjeneral brigade Mehmet Lladrovci falënderoi përfaqësuesit e Forcave të Armatosura të Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme, ndërsa pjesëtarët e RML-së për angazhimin dhe përkushtimin në zhvillimin e kapaciteteve operacionale të njësisë.

Postime të Ngjashme

E ke humbur