Enj. Pri 30th, 2026

“Është e padrejtë, besoj që do të lirohen”, qytetarët të indinjuar me ecuritë në Hagë

Gjykimin e ish-drejtuesve të UÇK-së në Hagë, qytetarët po e vlerësojnë si të padrejtë, ndërsa mirëpresin banerin në qendër të Prishtinës me mesazhin “Ktheni në shtëpi çlirimtarët”.

Ramadan Krasniqi e vlerëson si të gabuar faktin që ish drejtuesit e UÇK-së po vazhdojnë të mbahen padrejtësisht në Hagë.

“Besoj që do të lirohen, është e padrejtë që i kanë mbajtur deri tash…Gabim i kanë marrë, qe sa vjetë janë duke u mnajtur padrejtësisht në burgun e Hagës”, tha Krasniqi.
Ndërsa, Mehmet Mehmeti shprehet se lufta ka qenë e pastër dhe beson se do të kthehet në vendin e tyre.

“Mbarë populli shqiptar e di që është një padrejtësi ndaj krerëve të UÇK-së. Lufta ka qenë e pastër dhe e drejtë, prandaj shpresojmë që drejtësia do të bie në vendin e vet dhe liderët tanë të lirohen nga padrejtësia dhe të dalin të pafajshëm”, tha Mehmeti.

Qytetarët flasin edhe për moszgjedhjen e presidentit, që çoi në zgjedhje të reja.
Mehmet Mehmeti shprehet optimist se po të ishin ata në krye të Qeverisë, situata e mbrëmshme në Kuvend nuk do të kishte ndodhur.

“Sikur të ishin liderët që kanë qenë, që kanë dëshmuar se janë për Kosovën, sigurisht këto ngjarje nuk do të kishin ndodhur…Presim më shumë respekt dhe mburrje që t’i shohim ata ku e kanë vendin, në krye të Kosovës”, tha ai.

Që do të kishte rrjedh të njëjtë të situatës edhe në krye me ta, mendon qytetari, Sadik Hajrizaj.
“Njëjtë, njëjtë, asgjë nuk do të ndryshonte, edhe ata do të kishin bllokuar si këta. Nuk besoj së do të kishte ndryshuar. Kjo është një marri që po na ndodh në Kosovë…Ishalla e kanë një të mirë, i kanë pagat e mira, vendet e punës të siguruara edhe s’po ju intereson kurgjo”, u shpreh Sadikaj.
Mustafë Morina u shpreh ngjashëm si qytetarët paraprakë që mbajtja e atyre në Hagë është e padrejtë.

“Rasti i gjykimit të luftëtarëve të UCK-së është shumë e padrejtë që të gjykohen në Hagë, përkundrazi aty duhet të gjykohen serbët dhe jo shqiptarët”, tha Morina.
Qytetarët këtë pakënaqësi me ecurinë e procesit gjyqësor në Hagë e kanë shprehur edhe përmes protestave, të cilat çdo herë ishin masive./Kosovapress/

Postime të Ngjashme