Policia e Kosovës ka publikuar detaje lidhur me arrestimin e 16-vjeçarit të dyshuar për sulmin me thikë ndaj qytetarëve në sheshin e Ferizajt, ngjarje që ndodhi mëngjesin e së premtes.
Sipas njoftimit, më 10 korrik 2026, rreth orës 07:50, policia pranoi një informatë se një person po sulmonte qytetarët me thikë në qendër të qytetit. Njësitë policore reaguan menjëherë dhe në vendin e ngjarjes konstatuan se një person kishte pësuar lëndime nga therja me thikë, ndërsa një qytetar tjetër ishte lënduar gjatë tentimit për t’u larguar nga i dyshuari, i cili ndërkohë ishte arratisur.
Hetuesit Rajonalë në Ferizaj, të mbështetur nga njësitë e tjera policore, ndërmorën veprime intensive për lokalizimin e të dyshuarit. Pas kontrollit në banesën e tij dhe më pas në një adresë në fshatin Greme, policia arriti ta lokalizojë.
Sipas policisë, me të arritur në vendngjarje, i dyshuari refuzoi t’u bindet urdhrave të zyrtarëve policorë. Ai mbante një thikë në dorë, sulmoi policët me gurë dhe mjete të forta, ndërsa më pas u vërsul ndaj tyre edhe me thikë.
Gjatë ndërhyrjes policore, nëna e të dyshuarit dyshohet se pengoi zyrtarët në kryerjen e detyrës zyrtare. Ndërkaq i dyshuari ka goditur me thikë një polic dhe tre zyrtarë të tjerë policorë kanë pësuar lëndime. Ndërkaq i dyshuari ka hudhur benzin mbi trupin e tij.
“Në një moment, i dyshuari ka marrë një shishe me benzinë dhe ia ka hedhur vetes mbi trup, duke vazhduar t’i kërcënojë policët me thikë dhe duke mos lejuar afrimin e tyre. Gjatë përpjekjeve për vënien e tij nën kontroll, tre zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime, ndërsa njëri prej tyre është goditur me thikë në pjesën e qafës. Pas ndërhyrjes policore, i dyshuari me inicialet P.GJ (16 vjeç) është vënë nën kontroll dhe është arrestuar së bashku me nënën e tij D.GJ (47 vjeçe). Gjithashtu është sekuestruar edhe thika, e cila dyshohet se është përdorur në sulmin ndaj qytetarëve. Me vendim të prokurorit të shtetit i dyshuari është ndaluar për 24 orë, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar”, thuhet në njoftimin e policisë

