Enj. Kor 30th, 2026

Buldozerët rrënojnë motelin “Jezero” në zonën e Ujmanit

Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, me mbështetjen e Policisë së Kosovës, ka vazhduar aksionin për largimin e objekteve të ndërtuara në pronë publike përgjatë liqenit të Ujmanit.

Gjatë aksionit ka nisur edhe rrënimi i motelit “Jezero”, ndërsa punonjësit e ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenci”, të asistuar nga Policia e Kosovës, fillimisht kanë rrethuar objektin me shirita sigurie për të mundësuar zhvillimin e operacionit.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka konfirmuar se policia po ofron asistencë në këtë aksion, i cili po realizohet në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse.

Sipas ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenci”, prona ku ndodhet moteli i takon kësaj kompanie dhe objekti është uzurpuar. Aksioni po zhvillohet në kuadër të mbrojtjes së pronës publike përgjatë liqenit të Ujmanit.

Postime të Ngjashme