Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës po mban kongresin e nëntë zgjedhor, ku delegatët pritet të zgjedhin kryetarin e kësaj organizate sindikale për mandatin e ardhshëm. Kryetari aktual, Atdhe Hykolli, deri tani është pa kundërkandidat në këtë proces.
Në këtë ngjarje po marrin pjesë përfaqësues të sindikatave, mysafirë vendorë e ndërkombëtarë, ndërsa pjesë e saj ishte edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Kurti tha se shteti po kalon një fazë të rëndësishme të konsolidimit ekonomik dhe institucional, ndërsa theksoi se punëtorët mbeten një ndër shtyllat kryesore të zhvillimit të vendit.
Ai përmendi rritjen e pagës minimale, e cila nga 1 korriku i këtij viti është 500 euro bruto, duke thënë se nga kjo masë përfitojnë rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat.
Kurti foli edhe për skemat aktive të punësimit përmes Agjencisë së Punësimit, përfshirë programin “Superpuna”, duke thënë se synimi është mbështetja e punësimit të të rinjve, grave dhe kategorive që përballen me vështirësi në tregun e punës.
Ndërsa synimi kryesor i kryetarit aktual të BSPK-së, Atdhe Hykolli e në të njëjtën kohë edhe kandidat i vetëm për mandatin e ardhshëm është arritja e Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive.
“Për neve është shumë e rëndësishme të fillojmë të kemi Këshillin Ekonomiko-Social, edhe të fillojmë dialogun social, edhe ta kemi Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive. Domethënë, kjo është pika më e rëndësishme. Mandej, sigurimi shëndetësor. Ne po flasim shumë, që sa vjet është votuar ky sigurimi shëndetësor po ne ende nuk e kemi të funksionalizuar. Për shembull, njerëzit i shpenzojnë rrogën e tyre. të tyre domethënë për barna e gjëra të tjera dhe ndoshta nuk mbetet fare edhe për… për… për ushqim edhe për gjëra të tjera” ,tha ai.
Sipas tij, mbështetja që ka pasur për punëtorët e sektorit privat, pavarësisht vështirësive ka qenë karakteristika kryesore e mandatit që e la pas, gjë që ka bërë që delegatët e tjerë t’ia besojnë edhe një mandat tjetër.

