Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ka rikonfirmuar mbështetjen për miratimin e Kodit Civil, por kërkon rishikimin dhe heqjen e dispozitave që, sipas saj, cenojnë konceptin tradicional të familjes.
Ky qëndrim është rikonfirmuar gjatë mbledhjes së rregullt të Kryesisë së BIK-ut, të kryesuar nga Myftiu Naim Tërnava, ku është diskutuar edhe për Projektkodin Civil, i cili, sipas njoftimit të BIK-ut, pritet të shqyrtohet së shpejti në Kuvendin e Kosovës, raporton KosovaPress.
Pas diskutimeve, Kryesia ka shprehur mbështetjen për miratimin e Kodit Civil, por me kusht që të rishikohen dispozitat që ajo i konsideron në kundërshtim me parimet fetare dhe vlerat tradicionale.
“Pas një diskutimi të gjerë dhe gjithëpërfshirës, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës rikonfirmoi qëndrimin e saj të mëparshëm, duke shprehur mbështetjen për miratimin e Kodit Civil, por vetëm pasi të rishikohen dhe të hiqen nga përmbajtja e tij dispozitat që cenojnë konceptin tradicional të familjes, natyrshmërinë njerëzore dhe parimet themelore mbi të cilat është ndërtuar familja në shoqërinë tonë”, thuhet në njoftim.
Sipas BIK-ut, legjislacioni që rregullon jetën familjare duhet të mbështetet në vlerat morale, traditën dhe besimin, duke respektuar konceptin e familjes së ndërtuar mbi bashkimin e burrit dhe gruas.
Bashkësia Islame ka theksuar se nuk e kundërshton miratimin e Kodit Civil në tërësi, të cilin e konsideron të nevojshëm për sistemin juridik të Kosovës, por kundërshton dispozitat që, sipas saj, bien ndesh me bindjet fetare dhe vlerat tradicionale.
Me këtë rast, BIK-u u ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës, Ministrisë së Drejtësisë dhe Kuvendit që gjatë shqyrtimit të Projektkodit Civil të marrin parasysh shqetësimet e saj.
“Bashkësia Islame e Kosovës mbështet një Kod Civil që garanton drejtësinë, mbron familjen, forcon vlerat morale dhe kontribuon në ndërtimin e një shoqërie të shëndoshë, me dinjitet dhe përgjegjësi për brezat e ardhshëm”, thuhet në qëndrimin e Kryesisë.
Në mbledhje janë trajtuar edhe përgatitjet dhe planifikimi i aktiviteteve fetare për muajin e Ramazanit, si dhe çështje që lidhen me organizimin e jetës fetare në Kosovë.
Po ashtu, anëtarët e Kryesisë kanë në rend dite shqyrtimin e projektbuxheteve të Këshillave të Bashkësisë Islame dhe të Kryesisë së BIK-ut për vitin 2027, si dhe kërkesa të tjera për vendimmarrje.

