Kosova pret që gjatë këtij viti të pranojë një sasi të sistemeve raketore kundërtanke Javelin, ndërsa procesi i furnizimit është ndikuar nga zhvillimet globale dhe kërkesa e lartë ndërkombëtare për këto sisteme ushtarake.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se procedurat për blerjen e raketave Javelin janë përfunduar dhe se aktualisht po vazhdon procesi i pagesave, në pritje të realizimit të dërgesave.
Ai ka theksuar se Kosova është në komunikim të vazhdueshëm me partnerët përkatës, me synimin që një pjesë e sistemeve të sigurohet brenda këtij viti. Megjithatë, furnizimi është më i vështirë për shkak të kërkesave të shumta nga vende të ndryshme të botës.
Maqedonci ka bërë të ditur gjithashtu se Forca e Sigurisë së Kosovës tashmë posedon sisteme raketore kundërtanke, të cilat kanë funksione të përafërta, ndonëse Javelin njihen për efikasitetin e tyre në operacionet ushtarake.
Sistemet Javelin janë raketa kundërtanke të prodhimit amerikan, të cilat përdoren për goditjen e mjeteve të blinduara. Blerja e tyre konsiderohet pjesë e përpjekjeve të Kosovës për të rritur kapacitetet mbrojtëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

