Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka paralajmëruar se punëtorët teknik të shkollave fillore në Prishtinë mund të hyjnë sërish në grevë nga 5 tetori nëse institucionet nuk ndërmarrin masa për zbatimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për pagën minimale.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Azemi ka thënë se sindikata që në fillim të gushtit e kishte paralajmëruar Komunën e Prishtinës se, nëse punëtorët nuk paguhen për muajin gusht konform vendimit për pagën minimale, do të ndërmerren veprime sindikale.
“Ne dikur në gusht e kemi në fillim gusht e kemi paralajmëruar Komunën e Prishtinës se nëse punëtorët për muajin gusht dhe korrik nuk paguhen konform vendimit të Qeverisë lidhur me pagën minimale, do të futemi në grevë. Ne më 1 shtator kemi hy në grevë edhe shkollat fillore edhe shkollat e mesme, përderisa tek shkollat fillore pronari i kompanisë nga buxheti i vet e ka përmbushur kriterin e pagës minimale, sipas gjitha gjasave tani për muajin shtator besoj që nuk do të mund ta përmbushë sepse Komuna e Prishtinës nuk po e kryen detyrën që e ka”, ka deklaruar Azemi.
Sipas tij, për shkak të kësaj situate, punëtorët teknikë të shkollave fillore mund të hyjnë sërish në grevë nga 5 tetori.
“Dhe për këtë shkak, ne sipas gjitha gjasave që nga 5 tetori prapë shkollat fillore do të hyjnë në grevë”, është shprehur ai.
Azemi ka bërë të ditur se sindikata ka paralajmëruar edhe Qendrën e Studentëve, për shkak të mospagesës së punëtorëve konform vendimit për pagën minimale.
“Përndryshe, ne kemi paralajmëruar me kohë edhe Qendrën e Studentëve, sepse edhe këta për muajin korrik nuk e kanë bërë pagesën konform vendimit të Qeverisë së Kosovës, dhe punëtorët teknikë që… një kompani private që kryejnë shërbime për KEK-un, edhe këta nuk i kanë paguar pagat konform vendimit”, ka thënë Azemi për Ekonomia Online.
Ai ka theksuar se të gjitha njoftimet janë bërë në institucionet përkatëse dhe se tani pritet reagimi i tyre.
“Të gjitha njoftimet i kemi bërë te institucionet dhe ne presim reflektimin e këtyre institucioneve. Mirë kishte me qenë ta bëjnë këtë, nëse nuk e bëjnë, faktikisht neve nuk na mbetet rrugë tjetër vetëm se të fillojmë me grevë ashtu siç ne edhe e kemi paralajmëruar”, ka deklaruar ai.
Duke folur për pagën minimale, Azemi ka thënë se në rastin konkret nuk bëhet fjalë për një kontest të zakonshëm mes punëdhënësit dhe punëmarrësit për rritje page, por për zbatimin e një vendimi që, sipas tij, duhet të respektohet.
“Nga njëra anë ka kontest mes punëdhënësit dhe punëmarrësit sepse kërkohet një pagë më e lartë, është shumë normale. Megjithatë atëherë domethënë një verdikt përfundimtar është pak problem të zgjedhësh. Por në rastin konkret, kur paga minimale në Kosovë është 500 euro bruto, atëherë këtu s’kemi çka bisedojmë për paga. Dhe ku faktikisht është vendim, është ligj që duhet të respektohet, unë nuk e di pse nuk po e bëjnë këtë”, ka thënë Azemi.
Ai ka ngritur shqetësime edhe për punëtorët që, sipas tij, vazhdojnë të marrin paga nën nivelin e përcaktuar.
“Dhe ku e dimë nga ana tjetër faktikisht ne kemi sot punëtorë që marrin pagë 350 euro, për këtë çka ne folëm, realisht me 350 euro unë mendoj që një familje katëranëtarësh nuk mund t’ia del as për 10 ditë”, ka deklaruar ai.

