Hën. Pri 20th, 2026

Ankesa nga qytetarët për gjendjen e rrugës në lagjen “Arbëria” në Gjilan

Qytetarë të Gjilanit kanë ngritur shqetësime lidhur me gjendjen e infrastrukturës rrugore në lagjen “Arbëria”, duke kërkuar ndërhyrje nga institucionet komunale.

Në një reagim publik drejtuar kryetarit të komunës, Alban Hyseni, qytetari Ardian Azemi ka theksuar se rruga në këtë lagje është në gjendje të rënduar, duke e përshkruar segmentin nga qendrat tregtare deri në hyrje të fshatit Velekincë si të dëmtuar në masë të konsiderueshme.

Sipas tij, në këtë pjesë të rrugës nuk ka pothuajse asnjë segment të asfaltit në gjendje të rregullt, ndërsa gjendja është përkeqësuar me kalimin e kohës, shkruan Telegrafi.

Po ashtu, ai ka ngritur shqetësimin për mungesën e trotuareve në këtë zonë, duke theksuar se nxënësit e Shkollës Fillore “Abaz Ajeti” detyrohen të lëvizin në të njëjtën hapësirë me automjetet, çka, sipas tij, paraqet rrezik të vazhdueshëm për sigurinë e tyre.

Në reagim thuhet se, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme, nuk ka pasur ndërhyrje as nga qeverisja e kaluar dhe as nga ajo aktuale, ndërsa kërkohet që kjo çështje të trajtohet me prioritet.

Qytetari ka bërë thirrje për ndërhyrje urgjente në këtë segment rrugor, duke theksuar nevojën për rritjen e sigurisë dhe përmirësimin e kushteve për banorët e kësaj zone.

Deri në publikimin e këtij lajmi, nuk ka pasur reagim zyrtar nga Komuna e Gjilanit lidhur me këto pretendime. /Tlg/

Postime të Ngjashme