Enj. Kor 16th, 2026

AKB: Kosova duhet të ndërtojë infrastrukturën e vet të gazit dhe të jetë pjesë e partneritetit strategjik me SHBA-në

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka kërkuar nga krerët e shtetit që të deklarohen qartë në mbështetje të projekteve strategjike energjetike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke vlerësuar se furnizimi me gaz amerikan është një mundësi e rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe sigurinë energjetike të Kosovës.

Përmes një reagimi për Ekonomia Online, AKB ka theksuar se Kosova duhet ta trajtojë me seriozitet maksimal mundësinë e furnizimit me gaz amerikan dhe të mos mbetet jashtë zhvillimeve rajonale në sektorin e energjisë.

“Kosova duhet të trajtojë me seriozitet maksimal mundësinë e furnizimit me gaz amerikan, si një projekt strategjik për zhvillimin ekonomik, sigurinë energjetike dhe forcimin e partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në kohën kur shumë vende të Ballkanit Perëndimor, e në veçanti Serbia, po forcojnë bashkëpunimin strategjik me SHBA-në në sektorin e energjisë, Kosova nuk duhet të mbetet jashtë këtyre zhvillimeve”, thuhet në reagim.

AKB ka nënvizuar se furnizimi me gaz nuk duhet të kufizohet vetëm në zgjidhje afatshkurtra përmes transportit me cisterna, por të ndërtohet një infrastrukturë kombëtare e gazit, e lidhur me rrjetet rajonale dhe evropiane.

“Kosova duhet të ketë infrastrukturën e saj të gazit, përfshirë terminalin dhe rrjetin e nevojshëm të tubacioneve (gazsjellësve), të lidhur me rrjetet rajonale dhe evropiane. Një infrastrukturë e tillë do t’i mundësonte Kosovës furnizim më të qëndrueshëm, do të krijonte siguri për investime të reja, do të ndihmonte industrinë vendore dhe do të rriste konkurrueshmërinë e ekonomisë së vendit”, theksohet më tej.

Sipas AKB-së, deklarimet e udhëheqësve shtetërorë duhet të jenë të qarta në mbështetje të investimeve strategjike amerikane në sektorin e energjisë.

AKB tha se vendi ka nevojë për një strategji afatgjatë për gazin dhe për investime në infrastrukturën përkatëse.

“Kosova ka nevojë për gaz amerikan, por jo vetëm përmes transportit me cisterna. Ne duhet të ndërtojmë infrastrukturën tonë strategjike të gazit përmes tubacioneve, ashtu siç kanë bërë shumë vende të zhvilluara. Gazi amerikan është mundësi për investime të reja, zhvillim ekonomik dhe siguri energjetike. Deklarimet e shtetit duhet të jenë të qarta: Kosova duhet të ecë përpara me partnerët e saj strategjikë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, deklaroi AKB.

Postime të Ngjashme