Lidhja Demokratike e Kosovës ka vendosur të mos kërkojë asnjë pozitë politike.
Vendimi u bë i ditur nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas mbledhjes së grupit parlamentar të kësaj partie, transmeton IndeksOnline.
Abdixhiku deklaroi se LDK-ja është e gatshme të heqë dorë nga çdo kërkesë për pjesëmarrje në institucionet e vendit, duke theksuar se qëllimi është shmangia e çdo pengese në procesin e zgjidhjes.
“Për ta çliruar procesin nga çdo alibi dhe për t’i hapur rrugë zgjidhjes në interes shtetëror, LDK-ja tërhiqet nga çdo kërkesë për pozita dhe merr përsipër të kontribuojë pa asnjë përfitim politik në shmangien e krizës aktuale”, tha Abdixhiku.
Ai bëri të ditur se partia nuk do të kërkojë asnjë ministri në qeveri.
“LDK-ja heq dorë nga çdo kërkesë për pjesëmarrje në qeveri. S’e duam asnjë ministri, le t’i mbajë të gjitha VV-ja”, u shpreh ai.
Kreu i LDK-së konfirmoi gjithashtu se partia e tij po heq dorë nga kërkesa për postin e kryetarit të Kuvendit dhe, në një nga deklaratat më të rëndësishme, edhe nga kërkesa për udhëheqjen e presidencës.
“Hiqim dorë nga kërkesa për kryetar të Kuvendit dhe më e rëndësishmja edhe nga kërkesa për ta udhëhequr postin e presidentit”, deklaroi Abdixhiku.
Ai ka thënë se LDK-ja është e gatshme të bisedojë për zgjedhjen e një presidenti që mbron interesat e Republikës.
“Meqë LVV-ja po vlerëson se s’ka nevojë për partnere s’do ta ketë as s’i dekor. Do të qëndrojmë në opozitë dhe do të ushtrojmë këtë përgjegjësi me dinjitet. Pavarësisht këtij qëndrimi, s’do ta shndërrojmë zhgënjimin politik në bllokadë. Jemi të gatshëm të bisedojmë për zgjedhjen e një presidenti që mbron interesat e Republikës”, tha Abdixhiku.

