Kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti, mori pjesë në tryezën e rrumbullakët me temën “Angazhimi fetar për të luftuar dhunën ndaj grave dhe vajzave”, e cila u organizua nga Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë, në bashkëpunim me Zyrën e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR).
Në këtë Tryezë morën pjesë përfaqësues të bashkësive të ndryshme fetare nga vendi, si dhe ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilët diskutuan për mënyrat dhe format e angazhimit të institucioneve fetare në parandalimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave, si dhe për mbështetjen e viktimave dhe të mbijetuarve të dhunës me bazë gjinore.
Në fjalën e tij, kryeimami Sahiti theksoi angazhimin e vazhdueshëm të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe të institucioneve të saj në parandalimin e këtij fenomeni shqetësues për shoqërinë kosovare. Ai nënvizoi rëndësinë e vetëdijesimit përmes ligjëratave, këshillimeve dhe predikimeve fetare që mbahen nga imamët, pedagogët dhe teologët e institucioneve arsimore të BIK-ut – si në Medrese, ashtu edhe në Fakultetin e Studimeve Islame.
Po ashtu, kryeimami Sahiti vlerësoi rolin e teologeve fetare të angazhuara pranë Departamentit të Gruas të Bashkësisë Islame të Kosovës, të cilat përmes aktiviteteve të tyre kontribuojnë në fuqizimin e gruas, në mbrojtjen e dinjitetit të saj dhe në parandalimin e çdo forme dhune me bazë gjinore.

