Sht. Sht 27th, 2025

Izraeli nuk kursen sulmet gjatë natës, mbi 30 persona humbën jetën në Gaza

Të paktën 32 persona humbën jetën gjatë natës nga sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës, sipas zyrtarëve të shëndetësisë në territor.

Mëngjesin e së shtunës, një sulm shkatërrues goditi një shtëpi në lagjen Tufah, duke vrarë 11 persona, shumica gra dhe fëmijë, sipas burimeve mjekësore në spitalin al-Ahly. Ndërkohë, bombardime të tjera në qendër dhe veri të Gazës shkaktuan vdekjen e nëntë anëtarëve të një familjeje në kampin e refugjatëve Nuseirat ku të përfshirë ishte një çift dhe fëmijët e tyre.

Në një tjetër sulm në kampin e refugjatëve Shati, në perëndim të qytetit, katër persona humbën jetën pasi një shtëpi u godit nga një raketë izraelite. Stafi i spitalit Shifa konfirmoi se trupat e viktimave u sollën atje në orët e para të mëngjesit.

Ndërkohë, ekipet e mbrojtjes civile raportojnë se shumë persona ndodhen ende të bllokuar nën rrënoja, pa mundësi për t’u shpëtuar për shkak të bombardimeve të vazhdueshme dhe mungesës së mjeteve.

Ushtria izraelite ka përshkallëzuar ofensivën në qytetin më të madh të Gazës, ku qindra mijëra palestinezë janë të bllokuar pa ushqim, ujë apo ndihmë mjekësore, në një krizë humanitare që po thellohet çdo orë. Kjo, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme ndërkombëtare për armëpushim të menjëhershëm.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka folur të premten në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ku u zotua se Izraeli do ta përfundojë punën në Gaza. Fjalimi i tij u shoqërua me protesta të mëdha jashtë ndërtesës së OKB-së.

Pas një raporti të OKB-së që e cilësoi ndërhyrjen ushtarake izraelite si gjenocid, presioni ndërkombëtar ndaj Tel Avivit është rritur ndjeshëm. Franca, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Australia kanë shpallur njohjen e shtetësisë palestineze, duke u bashkuar me një numër gjithnjë në rritje vendesh që kërkojnë ndaljen e menjëhershme të dhunës dhe fillimin e paqes.

Më shumë se dy javë pas fillimit të ofensivës, sistemi shëndetësor në Gaza është buzë kolapsit. Të paktën dy spitale janë mbyllur për shkak të dëmtimeve nga bombardimet, dy të tjera janë jashtë funksionit, dhe klinikat po përballen me mungesa ekstreme të ilaçeve, ushqimit, karburantit dhe personelit mjekësor.

Organizata Mjekët pa Kufi deklaroi të premten se ka pezulluar aktivitetet në Qytetin e Gazës për shkak të rrethimit nga forcat izraelite. Jacob Granger, koordinatori i emergjencave në Gaza, u shpreh:

“Kjo është gjëja e fundit që donim. Por me klinikat e rrethuara dhe qytetin në kaos total, ne nuk kemi më mundësi të operojmë. Ndërkohë, foshnjat në kujdes intensiv dhe pacientët në gjendje kritike janë në rrezik të madh.”

Ndërsa bombardimet vazhdojnë dhe numri i viktimave rritet, qyteti i Gazës ndodhet në një gjendje katastrofe humanitare. Shpresat për një ndalim të përkohshëm të luftës zbehen çdo ditë, ndërsa bashkësia ndërkombëtare duket gjithnjë e më e ndarë përballë një tragjedie që po shkatërron jetë të pafajshme.

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *