Sht. Sht 27th, 2025

Përfundojnë punimet në “Xhaminë e Vogël” në Ferizaj

Nën organizimin e Këshillit të Bashkësisë Islame të Ferizajt, në “Xhaminë e Vogël – Boshnjakut” u mbajt manifestim fetar për ta shënuar përfundimit e punimeve në renovimin e kësaj xhamie. Manifestimi u mbajt pikërisht në muajin e Mevludit, ditëlindjes së Pejgamberit a.s..
Një fjalë përshëndetëse para të pranishmëve e mbajti kryetari i Këshillit të BI-së së Ferizajt, Nexhmedin ef. Bajrami, i cili falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe shprehu mirënjohje për të gjithë ata që kanë dhënë kontribut në ruajtjen dhe zhvillimin e jetës fetare në këtë qytet.
Me këtë rast, imami i “Xhamisë së Vogël”, njëherësh anëtari i Kryesisë së BIK-ut, Sevdair ef. Haxhiu, ndau mirënjohje për Këshillin e Xhamisë për kontributin e tyre dhënë për renovimin e xhamisë, ndërsa një mirënjohje e veçantë iu nda post-mortum haxhi Triumf Islamit, i cili kishte kontribuar për renovimin e kësaj xhamie pak kohë para ndarjes së tij nga kjo jetë.
Ligjëratën kryesore kushtuar jetës së të Dërguarit a.s., e mbajti kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti, i cili foli për jetën, mësimet dhe madhështinë e Pejgamberit Muhamed a.s. Ai theksoi se i Dërguari i Allahut erdhi si dritë shpëtimi për njerëzimin, duke udhëzuar zemrat drejt besimit të pastër e të vërtetë islam.
Programi vazhdoi me lexim Kurani, këndim ilahish dhe pjesë nga Mevludi, të cilat u interpretuan nga hoxhallarët e Këshillit të Bashkësisë Islame të Ferizajt.

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *