Me këndimin e pjesëve nga Kurani fisnik, salvateve, ilahive dhe pjesëve nga Mevludi, mbrëmë u mbajt manifestimi kushtuar Mevludit- ditëlindjes së Pejgamberit a.s., i organizuar nga Këshilli i Bashkësisë Islame në Pejë.
Ligjëratën kryesore e mbajti Kryeimami i Kosovës, Vedat ef. Sahiti, i cili në fjalën e tij theksoi rëndësinë e ndjekjes së rrugës së Pejgamberit a.s. dhe edukimit të brezave të rinj në frymën e moralit, mirësisë dhe përkushtimit. Ai rikujtoi fjalën e Zotit të Madhëruar: “Ne të dërguam ty vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat.”
Kryeimami porositi që jeta dhe mësimet e Pejgamberit a.s. të mbahen gjallë në familjet tona përmes këndimit të Mevludit, organizimit të tubimeve dhe mexhliseve tradicionale, si dhe përmes leximit të librave kushtuar jetës së tij të bekuar.
Programi vazhdoi me këndimin e pjesëve nga Mevludi nga Nexhmedin Hoxhaj, me ilahi të interpretuara nga hfz. Mehdi Goga dhe Muhamed Mavraj, ndërsa u përmbyll me lexim nga Kurani fisnik nga hoxha Ergyn Baykal. Duaja u bë nga kryeimami Enes ef. Goga.
Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Pejë Musli ef.Arifaj në fjalën përmbyllëse falënderoj të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen.
Në Pejë mbahet Mevlud kushtuar ditëlindjes së Pejgamberit a.s.,
