Harta globale e rreziqeve për vitin 2027 evidenton përkeqësim të situatës së sigurisë për udhëtarët në disa vende të botës.
Harta, e publikuar nga kompania Safeture në bashkëpunim me Riskline, klasifikon vendet dhe qytetet sipas 5 niveleve të rrezikut: të papërfillshëm, të ulët, mesatar, të lartë dhe kritik.
Sipas raportit të publikuar më 5 nëntor 2026, gjatë 12 muajve të fundit, 15 shtete kanë shënuar rritje të nivelit të rrezikut, ndërsa 6 kanë përmirësuar vlerësimin e sigurisë.
Analiza merr parasysh kriminalitetin, stabilitetin politik, konfliktet, rreziqet shëndetësore, fatkeqësitë natyrore dhe qasjen në shërbimet mjekësore.
Gjermania nuk është më në kategorinë me rrezikun më të ulët
Gjermania, Finlanda, Qiproja dhe Groenlanda kanë kaluar nga kategoria e rrezikut të papërfillshëm në atë të rrezikut të ulët.
Sipas Euronews, analistët e lidhin ndryshimin e klasifikimit të Gjermanisë me polarizimin politik, rritjen e mbështetjes për partinë Alternativa për Gjermaninë (AfD), si dhe kërcënimet nga ekstremizmi i djathtë, i majtë dhe islamist.
Megjithatë, sipas Euronews, Gjermania vazhdon të konsiderohet një destinacion përgjithësisht i sigurt për udhëtarët.
Rritje e ndjeshme e rrezikut në Lindjen e Mesme
Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Bahreini dhe Kuvajti kanë kaluar nga niveli i ulët në atë të lartë të rrezikut.
Arabia Saudite dhe Jordania janë zhvendosur nga niveli mesatar në atë të lartë, ndërsa Omani nga niveli i ulët në atë mesatar.
Irani dhe Sudani i Jugut janë klasifikuar në kategorinë më të lartë, atë të rrezikut kritik.
Autorët e raportit paralajmërojnë se tensionet e pazgjidhura në Lindjen e Mesme mund të shkaktojnë ndërprerje të trafikut ajror edhe gjatë vitit 2027, përfshirë Dubain dhe Abu Dhabin.
Vendet më të sigurta për udhëtarët në vitin 2027
Butani, Kanadaja, Kili, Kosta Rika, Danimarka, Islanda, Zelanda e Re, Singapori, Sllovenia dhe Zvicra janë përfshirë në mesin e destinacioneve të veçuara për sigurinë e tyre.
Ndër qytetet më të sigurta janë përfshirë Bandar Seri Begawan, Buenos Aires, Hong Kongu, Oslo, Otava, San Diego, Vjena, Wellingtoni, Zagrebi dhe Cyrihu.
Vendet me rrezikun më të theksuar
Kolumbia, Haiti, Irani, Mianmari, Nigeri, Somalia, Sudani i Jugut, Sudani, Bregu Perëndimor dhe Gaza, si dhe Jemeni, janë veçuar ndër destinacionet më pak të sigurta.
6 shtete përmirësojnë nivelin e sigurisë
Bangladeshi, Kameruni, Mozambiku dhe Nepali kanë kaluar nga rreziku i lartë në atë mesatar, ndërsa El Salvadori dhe Maldivet nga rreziku mesatar në atë të ulët.
Safeture dhe Riskline sqarojnë se përzgjedhja e vendeve dhe qyteteve është paraqitur sipas rendit alfabetik dhe nuk përbën renditje sipas shkallës së sigurisë.
Harta nuk përbën paralajmërim zyrtar për udhëtimet, por shërben si instrument informues për vlerësimin e rreziqeve.

