Hën. Nën 23rd, 2026

7-vjeçari nxiret i gjallë nga rrënojat pas 14-orësh tmerri, i mbijetoi sulmit rus në Ukrainë

Një ngjarje prekëse është shënuar në rajonin e Kievit, ku një djalë shtatëvjeçar është nxjerrë i gjallë nga rrënojat e një ndërtese banimi në fshatin Dymer, pasi kishte qëndruar i bllokuar për plot 14 orë.

Sulmet ruse gjatë natës kanë shkaktuar të paktën 11 viktima në këtë zonë, sipas autoriteteve ukrainase, raporton BBC-i.

Sulmi ndodhi në orët e para të së dielës, duke shkaktuar shembjen e ndërtesës dhe duke lënë disa persona të bllokuar nën rrënoja. Përveç vogëlushit, ekipet e shpëtimit arritën ta nxirnin të gjallë edhe një grua 79-vjeçare, e cila është dërguar në spital për trajtim mjekësor.

Sipas autoriteteve, gjendja shëndetësore e 7-vjeçarit është e qëndrueshme. Ai po merr kujdesin e nevojshëm mjekësor, ndërsa institucionet ukrainase kanë falënderuar të gjitha ekipet e përfshira në operacionin e shpëtimit.

Kreu i administratës rajonale të Kievit, Tymur Tkachenko, bëri të ditur se gjatë sulmit janë plagosur edhe disa persona, ndërsa në orët e para pas bombardimit kishte ende njerëz të raportuar të zhdukur.

Sulmet nuk u kufizuan vetëm në Dymer. Në Bila Tserkva, një goditje ndaj një banese private shkaktoi vdekjen e një personi dhe përfshiu ndërtesën nga flakët.

Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi se një tjetër sulm në qytetin Vyshneve, po ashtu në rajonin e Kievit, goditi një dyqan ushqimor, duke shkaktuar tri viktima dhe 13 të plagosur.

Autoritetet ukrainase kanë konfirmuar se operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë, ndërsa bilanci i viktimave dhe dëmeve nga sulmet mbetet tragjik.

Postime të Ngjashme