Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, mori pjesë sot në shënimin e Ditës Botërore të Arkitekturës 2026, organizuar nga Oda e Arkitektëve të Republikës së Kosovës.
Presidentja Shiroka Pula në shënimin e Ditës Botërore të Arkitekturës: Kosova ka traditë arkitekturore që meriton të njihet dhe të vlerësohet
Ajo tha se kjo ditë na kujton se arkitektura nuk nënkupton vetëm projektimin dhe ndërtimin e objekteve, ngase ajo përcakton hapësirën ku jetojmë, punojmë dhe kalojmë një pjesë të madhe të jetës sonë.
Sipas Presidentes Shiroka Pula, Kosova ka një traditë arkitekturore që meriton të njihet dhe të vlerësohet.
Më tej, ajo ka theksuar se mënyra si ndërtojmë sot do të ndikojë në jetën e brezave të ardhshëm.
Me këtë rast, Presidentja ka përgëzuar Odën e Arkitektëve për ndarjen e titullit “Anëtar Nderi Post Mortem” për profesor Bashkim Fehmiun.
“Ai ishte arkitekti i parë i shkolluar në Kosovë dhe një prej njerëzve që ndihmuan në formësimin e Prishtinës moderne. Nga kampusi i Universitetit të Prishtinës, te lagjet Dardania, Ulpiana dhe Bregu i Diellit, deri te hoteli Grand, veprat e tij janë pjesë e përditshmërisë sonë. Ato tregojnë se si puna dhe vizioni i një arkitekti mund të ndikojnë në zhvillimin dhe pamjen e një qyteti për shumë breza”, u shpreh Presidentja Shiroka Pula.

