Die. Nën 22nd, 2026

Incidenti ajror në Poloni, NATO thërret mbledhjen e Këshillit të Atlantikut të Veriut, tri mjete ruse ranë në territorin polak

NATO do të mbajë të hënën, më 23 nëntor, një takim në Bruksel për të diskutuar incidentin e rëndë ajror në Poloni, ku tre mjete fluturuese me origjinë ruse hynë në hapësirën ajrore të vendit dhe ranë në territorin polak.

Sipas mediave të huaja, ngjarja ndodhi mëngjesin e 20 nëntorit, gjatë një prej sulmeve më të mëdha ruse ndaj Ukrainës. Mes mjeteve të identifikuara ishte edhe një raketë lundruese ruse e tipit Kh-101, ndërsa dy të tjerat dyshohet se ishin një raketë dhe një dron me motor reaktiv.

Tre objektet ranë në zona të ndryshme në juglindje të Polonisë, konkretisht në rajonet Podkarpackie dhe Lubelskie. Autoritetet polake kanë bërë të ditur se nga incidenti nuk ka persona të lënduar.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e cilësoi incidentin si të rrezikshëm dhe konfirmoi se avionët luftarakë të Aleancës u ngritën në ajër si kundërpërgjigje ndaj shkeljes së hapësirës ajrore.

Ndërkohë, kryeministri polak Donald Tusk deklaroi se autoritetet kanë përcaktuar se të tre objektet kishin origjinë ruse, duke mos përjashtuar mundësinë që bëhej fjalë për një provokim të qëllimshëm.

Në takimin e së hënës do të mblidhet Këshilli i Atlantikut të Veriut, organi kryesor vendimmarrës i NATO-s, ku Polonia do të përfaqësohet nga zëvendësministri i Mbrojtjes, Paweł Zalewski.

Takimi do të zhvillohet në kuadër të konsultimeve të rregullta mes aleatëve dhe do të fokusohet te shkelja e hapësirës ajrore polake dhe masat për forcimin e mbrojtjes së krahut lindor të Aleancës.

Postime të Ngjashme