Sht. Nën 21st, 2026

Batatina pas fitores ndaj Vushtrrisë: Llapi e meriton të jetë më lart në tabelë

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka folur pas fitores së bindshme 4:1 të skuadrës së tij ndaj Vushtrrisë në xhiron e 14-të të Superligës së Kosovës, duke vlerësuar angazhimin e ekipit dhe duke veçuar disa detaje të ndeshjes.

Batatina theksoi se pushimi për ndeshjet e kombëtareve i ka shërbyer skuadrës për t’u përgatitur sa më mirë, ndërsa shtoi se Vushtrria është respektuar maksimalisht pavarësisht pozitës në tabelë,

“Kemi pasur kohë të mjaftueshme për shkak të pushimit të kombëtareve. E kemi vlerësuar lart Vushtrrinë. Llapit nuk i intereson se në çfarë pozite ndodhet kundërshtari”, u shpreh tekniku llapjan.

Ai komentoi gjithashtu golin e pësuar nga skuadra e tij, duke vënë në pah gabimin e portierit, por u shpreh i kënaqur me sigurinë që po tregon ekipi në fushë.

“Mendoj se te goli i Vushtrrisë portieri gaboi dhe duhej të ishte më i kujdesshëm. Llapi e meriton të jetë më lart në tabelë. Fillimi i sezonit nuk ka qenë i mirë për shkak të lëndimeve. Më gëzon fakti që skuadra po luan sigurt”, tha Batatina.

Në fund, trajneri i Llapit u ndal edhe te humbjet e pësuara në shtëpi, duke vlerësuar se ekipi ka bërë paraqitje të mira, por ka paguar çmimin e detajeve.

“Mendoj se në ndeshjet që Llapi i ka humbur në ‘Zahir Pajaziti’, nuk kemi luajtur keq, por ndoshta detajet e vogla kanë bërë që të mos i marrim pikët”, përfundoi Batatina.

Postime të Ngjashme