Superliga e Kosovës në basketboll rikthehet këtë fundjavë me ndeshjet e javës së dhjetë, ku vëmendja kryesore do të jetë te përballja ndërmjet kampionit, Trepçës, dhe nënkampionit, Bashkimit.
Java nis të shtunën me duelin ndërmjet Golden Eagle Yllit dhe Sigal Prishtinës, që zhvillohet nga ora 17:00. Të dyja skuadrat do të kërkojnë fitoren në një përballje që pritet të sjellë rivalitet të madh.
Nga ora 19:30, Rahoveci 029 do të jetë nikoqir i Borës. Skuadra prishtinase hyn në këtë takim si favorite, por vendasit do të synojnë të shfrytëzojnë përparësinë e terrenit vendas.
Të dielën, në qendër të vëmendjes do të jetë derbi ndërmjet Trepçës dhe Bashkimit, që nis në orën 17:00.
Përballja mes kampionit dhe nënkampionit pritet të jetë njëra ndër më interesantet e kësaj jave, marrë parasysh rivalitetin e krijuar mes dy skuadrave. Trepça dhe Bashkimi ishin përballur edhe në finalet e Kupës dhe Superkupës.
Mitrovicasit sezonin e kaluar triumfuan në kampionat dhe Kupë, ndërsa Bashkimi ishte fitues i Superkupës.
Java e dhjetë do të mbyllet me ndeshjen ndërmjet Vëllaznimit dhe Pejës, e cila zhvillohet nga ora 19:30, në një tjetër duel ku pritet rivalitet dhe luftë për fitore.

