Avokati Ardian Bajraktari ka shkruar lidhur me nismën e re ligjore sa i ëprket Ligjit për Dhomat e Specializuara.
“Kjo nuk do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën, pasi amendamenti kushtetues përkatës parasheh mundësi alternative lidhur me çështjen e selisë së Gjykatës. Po ashtu, argumenti kryesor i BE-së dhe i të tjerëve për vendosjen e selisë jashtë Kosovës, i bazuar në rrezikun e ndikimit dhe frikësimit të dëshmitarëve, tashmë e ka humbur peshën që kishte në fazën fillestare, pasi kjo fazë e procesit ka kaluar”, ka shkruar ai.
Sipas tij, Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë mundësi për të rihapur debatin mbi selinë, përgjegjësinë institucionale dhe raportin e saj me Dhomat e Specializuara, duke e trajtuar këtë çështje përmes një procesi serioz, të argumentuar dhe negociues.
Postimi i plotë:
Duke qenë se një nismë e re legjislative lidhur me Ligjin për Dhomat e Specializuara, duket e pashmangshme, atëherë, përmes negociatave me Bashkimin Evropian dhe vendet përkatëse financuese të Gjykatës, synimi kryesor do të duhej të ishte kthimi i selisë së kësaj Gjykate në Kosovë.
Kjo nuk do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën, pasi amendamenti kushtetues përkatës parasheh mundësi alternative lidhur me çështjen e selisë së Gjykatës.
Po ashtu, argumenti kryesor i BE-së dhe i të tjerëve për vendosjen e selisë jashtë Kosovës, i bazuar në rrezikun e ndikimit dhe frikësimit të dëshmitarëve, tashmë e ka humbur peshën që kishte në fazën fillestare, pasi kjo fazë e procesit ka kaluar.
Ndërsa, gjatë procesit negociues, ndër të tjera, do të duhet të adresohen parregullsitë dhe shkeljet e evidentuara gjatë procesit, të cilat janë vënë në pah edhe nga ekspertë dhe organizata kredibile ndërkombëtare; të paraqiteshin mangësitë institucionale, përfshirë mungesën e një mekanizmi mbikëqyrës të Gjykatës; dhe, mbi të gjitha, të dëshmohej gatishmëria e Kosovës për të marrë përsipër përgjegjësi, përfshirë edhe participimin e drejtpërdrejtë financiar në funksionimin dhe proceset e ndërlidhura me Gjykatën.
Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë mundësi për të rihapur debatin mbi selinë, përgjegjësinë institucionale dhe raportin e saj me Dhomat e Specializuara, duke e trajtuar këtë çështje përmes një procesi serioz, të argumentuar dhe negociues.

