Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar dje një zyrtar policor nga stacioni policor në Ferizaj, pas zhvillimit të veprimeve hetimore në koordinim me Prokurorinë e Shtetit.
IPK-ja bën me dije se, me aktvendim të prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Si pjesë e veprimeve hetimore nga hetuesit e IPK-së dje janë bastisur shtatë lokacione, ku janë sekuestruar dy armë të shkurtra, një armë e gjatë e gjuetisë, dy armë të ftohta (thika), si dhe municion i llojeve të ndryshme.
Sipas dyshimeve fillestare, zyrtari policor, jashtë detyrës zyrtare, gjatë vitit 2026 ishte përfshirë në organizimin e bixhozit të paligjshëm në formë online, si dhe dyshohet se kishte mbajtur në posedim një armë të gjatë të tipit Kallashnikov, të cilën më pas ia kishte shitur një personi tjetër.
Në kuadër të këtij rasti janë intervistuar edhe 6 qytetarë në cilësinë e të dyshuarve për veprën penale “Shitblerja e armëve”, ndaj të cilëve hetimet do të vazhdojnë në procedurë të rregullt.
Ndërkaq, në interes të hetimit dhe bazuar në autorizimet ligjore, IPK-ja i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e zyrtarit policor.
Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës në koordinim me Prokurorinë e Shtetit do të vazhdojnë ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore lidhur me këtë rast në përputhje me autorizimet ligjore.

