Drejtori i Diasporës në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, Ekrem ef. Simnica, mori pjesë në tribunën humanitare me moton “Një gur nga secili, një qendër për të gjithë”, të organizuar nga Komuniteti Shqiptar i Bashkësisë Islame të Austrisë (ALKIG), në Vjenë të Austrisë, me qëllim të mbledhjes së mjeteve financiare për blerjen e objektit që do të shërbejë si seli e re e ALKIG-ut.
Falë kontributit dhe solidaritetit të xhematit, gjatë këtij manifestimi u mblodhën më shumë se gjysma e mjeteve financiare të nevojshme, duke shënuar kështu një hap të rëndësishëm drejt realizimit të këtij projekti.
Në mesin e të pranishmëve ishin kryetari i ALKIG-ut, Vahidin ef. Behluli, përfaqësuesi i BFI-së, Hafiz ef. Rustemi, kryetari i Qendrave Islame Shqiptare në Gjermani, Mensur ef. Halili, kryetari i KMShZ-së, Fehim ef. Abazi, kryetari i Qendrave Islame Shqiptare në Itali, Reshat ef. Ibishi, si dhe përfaqësues të institucioneve fetare, mysafirë dhe personalitete të jetës publike e kulturore nga vendi dhe diaspora.
Gjatë manifestimit, drejtori Ekrem ef. Simnica, në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe të Myftiut Naim ef. Tërnava, përcolli përshëndetjet dhe urimet e përzemërta për këtë nismë të rëndësishme. Ai përgëzoi ALKIG-un për këtë hap të rëndësishëm drejt sigurimit të selisë së re, si dhe shprehu vlerësimin për punën, përkushtimin dhe sakrificën e drejtuesve dhe të gjithë atyre që, me angazhimin e tyre, po kontribuojnë në ruajtjen dhe zhvillimin e jetës fetare, kulturore dhe kombëtare të mërgatës sonë.
Kjo nismë përbën një dëshmi të qartë të unitetit, solidaritetit dhe përkushtimit të mërgatës shqiptare për ruajtjen dhe zhvillimin e jetës fetare. Njëkohësisht, ajo dëshmon rolin e rëndësishëm të diasporës në fuqizimin e institucioneve fetare dhe në përcjelljen e vlerave të besimit te brezat e rinj.
Bashkësia Islame e Kosovës vlerëson lart angazhimin e ALKIG-ut dhe të Komunitetit Shqiptar të Bashkësisë Islame të Austrisë, si dhe përgëzon organizatorët, donatorët dhe të gjithë kontribuuesit për këtë nismë. Me këtë rast, u shpreh urimi që projekti të përmbyllet me sukses dhe që selia e re të shndërrohet në një qendër të rëndësishme adhurimi, edukimi, dijeje, besimi, bashkëpunimi dhe uniteti, në shërbim të komunitetit shqiptar në Austri

