Hën. Nën 16th, 2026

Rama në Bruksel për zgjerimin e BE-së, takim me drejtuesit e lartë të institucioneve europiane

Kryeministri Edi Rama zhvillon sot e hënë një vizitë zyrtare në Bruksel, ku do të marrë pjesë në Forumin e II-të të Zgjerimit të Bashkimit Europian, që këtë vit mbahet nën temën “Evropë më e gjerë – Evropë më e fortë”.

Aktiviteti do të bëjë bashkë përfaqësues të institucioneve europiane dhe vendeve kandidate për të diskutuar procesin e zgjerimit, ecurinë e reformave dhe perspektivën e anëtarësimit në BE.

Në fokus të forumit do të jetë progresi i vendeve kandidate, Paketa e Zgjerimit për këtë vit, si dhe mundësitë për ndërtimin e një Bashkimi Europian më të zgjeruar dhe më rezistent përballë sfidave të ardhshme. Diskutimet pritet të përqendrohen te reformat që duhet të ndërmarrin vendet aspirante, investimet dhe rritja ekonomike si elemente kyçe për avancimin e procesit të integrimit.

Gjatë forumit, Rama do të marrë fjalën në panelin me temë “Realizimi i Zgjerimit: Reformat, Investimet dhe Rritja Ekonomike”, ku do të trajtohen sfidat dhe mundësitë që shoqërojnë zgjerimin e Unionit. Pjesëmarrja e kryeministrit shqiptar vjen në një moment kur procesi i integrimit europian mbetet një nga çështjet kryesore në agjendën politike të Shqipërisë.

Gjatë qëndrimit në kryeqytetin belg, kreu i qeverisë do të zhvillojë takime me Presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa, dhe Presidenten e Parlamentit Europian, Roberta Metsola. Takimet pritet të jenë pjesë e diskutimeve për procesin e zgjerimit dhe marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe institucioneve të Bashkimit Europian.

 

Postime të Ngjashme