Dogana e Kosovës ka parandaluar sot një rast kontrabandimi të metaleve të çmuara në pikën e kalimit kufitar Merdare.
Ajo gjatë një kontrolli në një automjet ka gjetur dhe sekuestruar përkohësisht rreth 8 274 kilogramë argjend me pastërti 99,9%, raporton KosovaPress.
Rasti është zbuluar pas dyshimeve të ngritura nga zyrtarët doganorë gjatë kontrollit fillestar të një furgoni me targa të huaja, i cili ishte në transit përmes territorit të Kosovës, nga Belgjika drejt një vendi fqinj.
Pas vlerësimit të dyshimeve fillestare, automjeti është përzgjedhur nga Njësia e Skanerëve për kontroll përmes pajisjeve të skanimit.
Gjatë analizimit të imazheve të skanimit, zyrtarët doganorë kanë identifikuar parregullsi të mundshme në ngarkesën e automjetit, çka ka çuar në kontrollin e detajuar në vijën e dytë.
Kontrolli është realizuar nga zyrtarët doganorë të angazhuar në këtë operacion, në bashkëpunim me zyrtarët përkatës dhe nën asistimin e Policisë së Kosovës.
Gjatë kontrollit është zbuluar një sasi e konsiderueshme e argjendit të padeklaruar, e fshehur në pjesën e sipërme të një lavatriçeje të përdorur. Malli ishte kamufluar ashtu që mund të identifikohej vetëm pas çmontimit të pajisjes.
Sasia e zbuluar përbëhej nga gjashtë monedha investuese argjendi, të prodhuara nga Australian Perth Mint (Kookaburra, Koala dhe Lunar Series), me peshë nga një kilogram secila, gjithsej gjashtë kilogramë, një lingotë argjendi e markës Umicore me peshë një kilogram, dy tuba plastikë me nga 20 monedha argjendi secili, me peshë nga 31,1 gramë për monedhë.
Vlera e argjendit të zbuluar në treg konsiderohet nga 8 000 deri në 10 000 euro.
Rasti është proceduar për hetime të mëtejshme dhe për zhvillimin e procedurave përkatëse kundërvajtëse doganore në përputhje me legjislacionin në fuqi.

