Pre. Nën 13th, 2026

Punëtorët e KEK-ut paralajmërojnë sërish protestë

Sindikata e Re e Punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës ka paralajmëruar organizimin e një proteste të radhës më 19 nëntor, në Prishtinë.

Sipas njoftimit të sindikatës, protesta do të mbahet të enjten, duke filluar nga ora 11:00, para Drejtorisë së KEK-ut, në objektin TOSKAN.

Sindikata ka bërë të ditur se kërkesat e punëtorëve mbeten të njëjta, deri në realizimin e tyre.

Dy kërkesat kryesore janë ngritja dhe nivelizimi i pagave për punëtorët e KEK-ut, si dhe realizimi i pagës së 13-të për të gjithë punonjësit e kësaj korporate.

Në njoftimin e saj, Sindikata e Re ka theksuar se protesta është vazhdim i kërkesave të punëtorëve për mbrojtjen e të drejtave dhe dinjitetit të tyre.

Ajo u ka bërë thirrje të gjithë punëtorëve që të marrin pjesë masivisht në protestë dhe të qëndrojnë të bashkuar për realizimin e kërkesave.

“Bashkimi ynë është fuqia jonë! Zëri i punëtorëve nuk mund të injorohet!”, thuhet në mesazhin e sindikatës.

Postime të Ngjashme