Kombëtarja e Kosovës në futsall është mposhtur nga Italia me rezultat 3-0, në ndeshjen e zhvilluar në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2028.
Në përballjen e zhvilluar në Itali, vendasit shënuan tri herë për të siguruar fitoren dhe për t’ia shkaktuar Kosovës humbjen e dytë në këto kualifikime.
Për Italinë realizuan Gabriel Motta, Antonio Molaro dhe Maurizio Silvestri.
Kujtojmë se në ndeshjen e parë, të zhvilluar në Prishtinë, Italia kishte fituar me rezultat 4-3. Në atë takim, Kosova kishte treguar karakter duke u rikthyer nga disavantazhi prej tri golash, por në fund nuk kishte arritur të shmangte humbjen.
Pas kësaj disfate, Kosova mbetet me tri pikë në Grupin 10, të fituara në përballjen ndaj Gjeorgjisë.
Kësisoj, ndeshja e fundit e grupit, pikërisht kundër Gjeorgjisë, do të jetë vendimtare për Dardanët në garën për të siguruar një vend në fazën e play-offit të kualifikimeve për Botërorin 2028.

